Tiranë: Socialistët tërhiqen nga shkarkimi i Presidentit Meta

Në Shqipëri, shumica socialiste në komisionin hetimor mbi ligjshmërinë e veprimeve të presidentit të Republikës për zgjedhjet vendore një vit më parë dhe polemikat mbi Gjykatën Kushtetuese, zbuti sot qëndrimet ndaj zotit Meta.

Sipas raportit hetimor të socialistëve, presidenti Meta tejkaloi kompetencat, por shkeljet nuk janë të asaj shkalle sa të justifikojnë shkarkimin e tij. Ndërkohë Presidenti Meta diskutoi sot me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, mbi mundësinë e rimbledhjes së Këshillit Politik, i cili arriti marrëveshjen e 5 qershorit për zgjedhjet.

Marketing

Komisioni Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Presidentit të Republikës, dëgjoi sot në një mbledhje online raportet paraprake të dy relatorëve nga shumica dhe opozita mbi hetimet që janë kryer mbi kërkesat e 55 deputetëve për shkarkimin zotit Meta. Kërkesa e parë për këto hetime u bë para një viti kur presidenti shtyu zgjedhet vendore të qershorit dhe kërkesa e dytë u bë në nëntor pas përplasjeve mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Relatorja e shumicës socialiste solli një raport 47 faqe, ku përvec hetimeve të veta, i referohet edhe dy Opinioneve të dhëna nga Komisioni i Venecias një për zgjedhjet vendore dhe një për emërimet në Gjykatë Kushtetuese mbi shkeljet e presidentit.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës ishin më të ashpër në raportin 22 faqe të relatorit të tyre dhe kërkuan shkarkimin e presidentit të republikës për shkelje të Kushtetutës. Ata i kujtuan socialistëve se cfarë deklaruan kundër presidentit një vit më parë kur shtyu zgjedhjet vendore dhe premtuan shkarkimin e shpejtë të tij.

Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja online dhe të hënën të dy qëndrimet do të përfshihen në një raport përfundimtar.

Ndërsa Presidenti Meta vazhdoi edhe sot veprimtarinë e tij në valën e polemikave pozitë mbi reformën zgjedhore.

Ai ftoi sërish në një takim kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të diskutuar mundësinë e rimbledhjes së Këshillit Politik, ku u arrit marrëveshja e 5 qershorit, për të diskutuar tema që lidhen me zgjedhjet.

Kryeministri Edi Rama shkroi pas kësaj në rrjetet sociale se ishte gati qysh të hënën të shkonte në Këshillin Politik për të bindur opozitën mbi dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë dhe, sipas tij, do të ishte akoma më mirë nëse do të vinin edhe presidenti Meta edhe kryetari i Partisë Demokratike Basha.

Shumica ka deklaruar se do t’i miratojë dyja materialet edhe marrëveshjen e 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare edhe ndryshimet kushtetuese që kërkoi opozita brenda parlamentare.

Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare janë shprehur se marrëveshja e 5 qershorit duhet miratuar pa ndryshime, ndërsa për ndryshime ligjore e kushtetuese nuk ka më kohë të pamjaftueshme për konsultime gjithëpërfshirëse.