Ndryshimet kushtetuese janë miratuar ditën e sotme në Kuvend me 106 vota pro 10 kundër. Në këtë mënyrë listat do të hapën pjesërisht. Po ashtu, është miratuar dhe ndryshimi i formulës së koalicioneve. Sipas sekretarit të votimit në votimin për ndryshimet kushtetuese morën pjesën 116 deputetë.
Ndryshimet kushtetuese u miratuan pa pëlqimin e opozitës jashtëparlamentare, e cila ka kërkuar hapjen e listave 100%. Po ashtu, opozita e bashkuar ka kundërshtuar ndryshimin e formulës së koalicioneve, duke theksuar se këto ndryshime zhbëjnë marrëveshjet e 5 Qershorit dhe të 14 Janarit të nënshkruar edhe nga Partia Socialiste .
Ndërkohë, mazhoranca thotë se këto ndryshime nuk prekin koalicionet parazgjedhore të cilat do të duhet të krijohen tashmë me një mënyrë të re nga e kaluara.
Sipas deputetëve socialiste hapja e listave jo më pak se 2/3-at e tyre do tu mbetet diskutimeve për Kodin Zgjedhor që do të bëhen pas ndryshimeve në kushtetutë.
Nga ana tjetër, opozita parlamentare është e përçarë sa u takon këtyre ndryshimeve pasi një pjesë e saj i ka mbështetur ndërsa disa deputetë votuan kundër.