Tre vite kontratë për yllin e Galatasaryit që sot u bë i Shkupit

Skuadra e jonë, FC Shkupi sot ka arritur që të nënshkruaj kontratë edhe me përforcimin e katërt, ndërsa fjala është për një nga lojtarët më të talentuar turk, i cili në portofolin e tij ka bërë paraqitje për kategoritë e të rinjve të gjigantit turk Galatasaray, ndërsa ka edhe pesëdhjetë ndeshje për kombëtaren turke.

Marketing

Bëhet fjalë për Firat Gulu, lojtari që është vetëm 19 vjeç dhe i cili vjen në Çair për të forcuar skuadrën. Më parë Gulu ishte bartësi i lojës së të rinjve Galatasaray, i cili ka mbajtur me shiritin e kapitenit.

Gulu tani më gati një muaj ishte bashkuar më ekipin e FC Shkupit dhe ka qenë me skuadrën edhe në përgatitjet në Ohër, ku ka kënaqur edhe pritshmërinë e trajnerit Muharrem Bjrami, që më pas kryesia e klubit dhe mesfushori me tipare sulmuese kanë nënshkruar kontratë tre vjeçare.

“U transferova nga Galatasaryi te skuadra e Shkupit dhe së pari falënderoj njerëzit që më dhanë mundësi të jem pjesë e Shkupit, kryesisë dhe trajnerit. Jam i vetëdijshëm se kam ardhur në klub të madh, me një tifo grup të madh. Sigurisht që shpresoj këtë sezon të arrijmë objektivat tona dhe me përkrahjen e “Shvercerave” të arrijmë titullin kampion”, ka thënë për faqen tonë zyrtare Gulu.

Gulu kishte paraqitje të mira edhe në ndeshjet kontrolluese duke dëshmuar se jo rastësisht ishte kapiten i skuadrës së Galatasarayit U19.

Kujtojmë që ai me ekipin e tij në kampionatin elitar të U19 ka regjistruar 15 ndeshje, duke shënuar një gol dhe duke shtuar edhe një asistim, ndërsa ka edhe katër paraqitje në ligën e të rinjve të UEFA-s.