Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të shtunën ka regjistruar 9 viktima dhe 145 raste pozitive me koronavirus.
Numri total i rasteve pozitive është 11.275 raste nga 43.544 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 390 viktima që nga përhapja e virusit në Kosovë.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 144 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6.961 raste.
Numri i rasteve aktive është 3.924.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të premten se ka licencuar edhe nëntë laboratore tjera për kryerjen e testeve serologjike për koronavirusin e ri.
Përmes këtyre testeve, kuptohet nëse një person ka tejkaluar këtë virus, si dhe nëse trupi ka krijuar antitrupa kundër tij.