Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, krahas informimit të rregullt (përmes Ueb faqes zyrtare www.tradita.org), për situatën e përgjithshme në vendin tonë në lidhje me pandeminë Covid -19, sot aktivitetet e saj i ka vijuar edhe në terren.
Në përputhje me agjendën e projektit “Bëhu” mjek duke i dëgjuar mjekët – “Shëro” pacientë duke mos i infektuar të tjerët, sot kryetari i shoqatës, Selam Sulejmani, realizoi një takim pune me kryetarin e Komunës së Tearcës, z. Isen Hasani. Në këtë takim në të cilin morën pjesë edhe drejtorët e shkollave fillore të Komunës së Tearcës, Shoqata “Tradita”, kryetarit të kësaj komune ia dorëzoi disa materiale sensibilizuese me udhëzime të qarta dhe masat që duhet të ndërmerren gjatë procesit edukativ –arsimor në kushte pandemie. Ky projekt që implementohet në rajonin e Pollogut, është mirëpritur në Komunën e Tearcës dhe sipas autoriteteve komunale, i njëjti do të ndihmojë në betejën e përbashkët kundër përhapjes së virusit korona.
“Komuna e Tearcës gjithmonë ka qenë mbështetëse e projekteve të ndryshme që janë në dobi dhe interes të qytetarëve tanë, ndaj edhe realizimi i këtij projekti në territorin e komunës sonë është i mirëseardhur. Pandemia Covid -19 është sfidë e përbashkët për gjithë shoqërinë, por përfshirja e sa më shumë faktorëve në këtë betejë shëndetësore, besojmë se do të ndihmojë në tejkalimin e kësaj gjendjeje”- theksoi Isen Hasani – kryetar i Komunës së Tearcës.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës “Tradita” u shpreh i kënaqur që qendrat arsimore në këtë komunë kanë treguar gatishmërinë e tyre për realizimin e projektit të lartpërmendur.
“Së pari e falënderojmë kryetarin, z. Isen Hasani për përkrahjen institucionale që ky projekt i shoqatës sonë të implementohet në qendrat arsimore të Komunës së Tearcës. Pandemia Covid-19 dhe pasojat që ajo lë pas në shumë fusha, ka bërë që edhe ne si shoqëri civile të angazhohemi, të përfshihemi dhe të japim kontributin tonë në sensibilizimin dhe vetëdijesimin e opinionit publik për respektimin e masave kundër përhapjes së virusit korona. Projekti ynë ka për qëllim të minimizojë pasojat e pandemisë sidomos në lëmin e arsimit, prandaj në shkollat fillore dhe të mesme kemi ndërmarrë një fushatë për ekspozimin e materialeve me porosi të qarta për respektimin e masave kundër Covid-19”- deklaroi kryetari i Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani.
Projekti Bëhu” mjek duke i dëgjuar mjekët – “Shëro” pacientë duke mos i infektuar të tjerët, financohet nga Sekretariati gjeneral i Qeverisë së RMV-së dhe i njëjti në ditët në vazhdim pritet që t’i vijojë aktivitetet për shpërndarjen/ekspozimin e materialeve sensibilizuese në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Tetovës dhe Komunës së Bërvenicës.