Kompletohet përbërja qeveritare, afati i shtrimit të propozimit skadon më dy shtator

BDI e publikoi emrin e ministrit të ri të Shoqërisë Informatike dhe Administratës me çka kompletohet edhe përbërja e qeverisë së re e cila duhet të zgjidhet në Kuvend. Propozimi i tyre është Jeton Shaqiri, profesor i Universitetit Ndërkombëtar në Strugë, i cili do ta drejtojë ministrinë.

Marketing

Afati për shtrimin e propozimit për zgjedhjen e Qeverisë së re skadon më 2 shtator. Pasi të premten u zgjodh Talat Xhaferi kryetar i Kuvendit, tani pritet ditëve në vijim të caktohet seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Në Qeverinë e re, siç paralajmëroi mandatari Zoran Zaev, në vend 26, sikurse deri më tani, do të ketë 19 ministra apo shtatë më pak.

Propozimet për ministrat e rinj janë publikuar të mërkurën pasi paraprakisht ishte zyrtarizuar koalicioni midis LSDM-së dhe BDI-së.

Nga radhët e LSDM-së në përbërje të Qeverisë së re hyjnë Oliver Spasovski i cili do ta drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska e cila do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa propozimi për ministër të ri të Drejtësisë është Bojan Mariçiq.

Bllagoj Boçvarski do ta drejtojë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, Jagoda Shahpaska Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa Irena Stefkova do të jetë ministre e re e Kulturës. Venko Filipçe mbetet ministër i Shëndetësisë, ndërsa zëvendëskryeministrja Milla Carovska do ta drejtojë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Shefi i deritanishëm i diplomacisë Nikolla Dimitrov do të jetë zëvendëskryeministër i obliguar për Çështje Evropiane. Fatmir Bytyqi do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, ndërsa Lupço Nikollovski zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit.

BDI do t’i drejtojë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Do të ketë edhe zëvendëskryeministër dhe ministër për sistem politik. Propozimi i BDI-së është Artan Grubi të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik, Fatmir Besimi ministër i Financave, Bujar Osmani i Punëve të Jashtme, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë dhe Naser Nuredini i Mjedisit Jetësor.

Propozimet për ministra të rinj të mërkurën u miratuan nga organet më të larta të dy partive.

Mandatari Zaev nga ekipi qeveritar pret punë, llogaridhënie dhe përgjegjësi.

“Do të respektoja punë edhe mbi tetë orë. Pres fokusim të plotë pasi na pret një periudhë e papërsëritshme. Puna e dytë është llogaridhënia dhe përgjegjësia, deklaroi Zaev të mërkurën pas seancës së Këshillit Qendror të partisë. Paralajmëroi edhe përgjegjësi për secilin i cili do të gabojë para ligjit pa dallim nëse është ministër ose jo. Pres prej kuadrove të ndërmarrin përgjegjësi gjithmonë. Ky është mesazhi”, tha Zaev. shk/