Kryeministri Rama mesazh për zgjedhjet në Mal të Zi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një video-mesazhi, iu është drejtuar votuesve në Malin e Zi, në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në këtë vend më 30 gusht.

Marketing

Kryeministri Rama e nis mesazhin e shpërndarë për mediat me përshëndetje në gjuhën shqipe dhe malazeze. Rama shprehet se nuk do ta bënte këtë mesazh, nëse siç thotë ai “unë nuk do të ndjeja thellë dhe sinqerisht lidhjen e veçantë mes dy vendeve tona, dy vendeve vëllazërore, për dy parti motra, dhe midis meje dhe Milo Gjukanoviçit”.

Ai thekson më tej se e bën adresimin tij ndaj qytetarëve të Malit të Zi një domosdoshmëri, sipas tij, për rëndësinë shumë të madhe për Shqipërinë dhe gjithë rajonin, “vendimi që vëllezërit dhe motrat tona malazeze duhet të marrin në ditët e ardhshme”.

“Faleminderit Milo që ekziston, jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët në Malin e Zi, në Kosovë, kudo në rajon dhe gjithashtu për rajonin tonë si një i tërë. Nuk më takon mua të gjykoj atë që ju ende nuk keni bërë për Malin e Zi, ua lë popullit tuaj. Por ajo që mund tu them atyre është se pa dyshim, ajo që Milo Gjukanovic ka bërë për Malin e Zi dhe për këtë rajon, duhet ta bëjë krenar çdo qytetar malazez dhe t’i bëjë të gjithë prindërit malazezë të ndjehen të sigurt për fëmijët e tyre”, thekson Rama.

Rama shprehet se nuk ka kohë për eksperimente, të cilat sipas tij mund të sjellin pasiguri.
Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, partitë shqiptare do të dalin me dy lista zgjedhore pasi nuk kanë arritur t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet për t’u bashkuar në një listë të vetme.

Gjatë muajit korrik u nënshkrua marrëveshja e koalicionit parazgjedhor mes 5 forcave të spektrit politik shqiptar (Alternativa Shqiptare, Forca, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit dhe Perspektiva), ndërsa kohë më parë u nënshkrua edhe marrëveshja e koalicionit parazgjedhor të 4 partive politike shqiptare (Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe PQSHI).