Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri ka
uruar z. Artan Grubi për emërimin e tij në postin e
zëvendëskryeministrit të parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive.
“Më lejoni të shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e emërimit
tuaj si Zëvendëskryeministër i Parë i Republikës së Maqedonisë së
Veriut. Në emër të Republikës së Kosovës dhe timin personal, ju përgëzoj
përzemërsisht për emërimin tuaj në këtë pozicion me shumë përgjegjësi.
Avancimi i pozitës së shqiptarëve është kontribut dhe përpjekje e
gjeneratave që interesin e Kombit e vendosën në plan të parë, rrugë të
cilën, gjenerata e juaj, me plot sakrifica e arriti deri në marrjen e
përgjegjësive më të larta shtetërore”, – thuhet në urimin e z. Tahiri. A
më tej ka shkruar se angazhimi i përbashkët në të ardhmen do të jetë
përforcimi i marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve.
“Me Maqedoninë e Veriut si dy vende mike, shpresoj të forcojmë
marrëdhëniet e miqësisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis dy vendeve
tona drejt adresimit të agjendës bilaterale dhe rajonale. Duke
përsëritur urimet e mia, ju uroj shëndet, suksese dhe të gjitha të mirat
në këtë rol me përgjegjësi jetike për shqiptarët dhe për shtetin tuaj në
përgjithësi”- thuhet në urimin e zëvendëskryeministrit të parë të
Kosovës dërguar z. Artan Grubi.
Ndërkaq, ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës z. Abdullah Hoti në
një bisedë telefonike ka uruar z. Grubin për zgjedhjen e tij në detyrën
e re duke iu dëshiruar sukses në detyrën e re dhe njëkohësisht ka
potencuar qëndrimin e Prishtinës zyrtare për vazhdimin dhe përforcimin e
marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve.