Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka çuditur edhe njëherë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, ndërsa i ka bërë thirrje amerikanëve që të votojnë dy herë në zgjedhjet e nëntorit, ndonëse këtë nuk e lejon ligji. Lideri i Uashingtonit, e bëri këtë deklaratë në vazhdën e kritikave për sistemin e brendshëm elektoral, ndërsa ka vënë në pikëpyetje rregullsinë në numërimin e votave me postë.
I njohur për deklaratat që shkaktojnë shpesh herë polemika, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka qëlluar sërish, ndërsa në një deklaratë të habitshme të bërë në orët e fundit, ai u kërkoi votuesve në Karolinën e Veriut që të votojnë dy herë në zgjedhjet e nëntorit edhe pse dicka e tillë është e jashtëligjshme.
Thirrja e liderit të Shtëpisë së Bardhë erdhi si një kritikë e vazhdueshme për sistemin e brendshëm elektoral.
Në javët e fundit, numri një i Uashingtonit ka thënë vazhdimisht se votat e dërguara me postë bëhen shpesh herë objekt i falsifikimeve dhe ka propozuar ndalimin e tyre.
Dhe sipas Trump, për ta provuar këtë, qytetarët mund ta vërtetojnë duke votuar dy herë, një herë fizikisht dhe herën e dytë duke dërguar votë me postë. I pyetur për dicka të tillë, Trump e mbrojti deklaratën duke thënë se nëse sistemi është perfekt, atëherë këto vota do të shpallen të pavlefshme.
“Lërini qytetarët të votojnë nga dy herë. Nëse sistemi është aq i mirë sa thonë, atëherë me siguri votat do të shpallen të pavlefshme.”
Deklarata e Trump është pritur me kritika nga ana e zyrtarëve të ligjit.
Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut, Josh Stein, shkroi në twitter se thirrja e Trump është e pavend.
Sipas tij, Presidenti po inkurajon njerëzit që të thyejnë ligjin me qëllim që të sjellë kaos në procesin zgjedhor.