Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka folur pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.
Hoti tha se marrëveshja ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve, ndërsa cilësoi si një lajm të mirë edhe faktin që tashmë Kosova u njoh si shtet edhe nga Izraeli.
“Është një ditë e madhe shumë e rëndësishme për Kosovën. Marrëveshja ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, mbështetjen e projekteve të mëdha infratstrukturore, që krijonë qindra mijëra vende pune në të dy vendet dhe përtej tyre në të gjithë regjionin. Një lajm shumë i mirë për Kosovën është që ne presim të marrim shpejt njohjen nga Izraeli dhe të vendosim marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Është një arritje shumë e madhe me ndërmjetësimin e SHBA”, tha Hoti.
Më tej, në intervistën e tij për Zërin e Amerikës, Hoti tha se kjo marrëveshje i hap rrugë normalizimit të raporteve, për të shkuar tek njohja reciproke.
“Marrëveshja i hap rrugë normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë deri tek njohja reciproke. Kjo është qasja që na është kërkuar nga presidenti Trump dhe ekipi i tij”, tha Hoti duke shtuar se bisedimet vazhdojnë të hënën në Bruksel.