“Goce Dellçevi, maqedonas apo bullgar?” Kryeministri Zaev shprehet optimist se dallimet mes Shkupit dhe Sofjes rreth kësaj çështjeje do të kapërcehen së shpejti. Ai tha se vizitën e parë zyrtare do ta realizojë në Sofje përpara Samitit që pritet të mbahet më 10 dhe 11 nëntor në kryeqytetin bullgar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Goce Dellçevi është revolucionar maqedonas, por gjithashtu është fakt se bullgaret e konsiderojnë si revolucionar bullgar. Fakt është se kemi qytetin tonë, Dellçevë, edhe Bullgaria ka Goce Dellçev. Kemi përmendore gjithandej në dy vendet. Bashkë me kryeministrin, Borisov u përkulem para përmendores në Bllagoev Grad dhe te varri këtu në Shkup. Realiteti dhe faktet janë këto. Në figurat historike duhet të shohim bazë për ndërtim të një miqësie edhe më të madhe – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Ambasadori i ri i BE-së, David Geer nuk tregoi se si memorandumi i Bullgarisë do të reflektohet në kornizën negociuese që po përgatitet për Maqedoninë e Veriut në Këshillin Evropian dhe as nëse shtete të tjera anëtare kanë bërë vërejtje shtesë. Geer vetëm u shpreh optimist se korniza do të harmonizohet së shpejti, që negociatat të fillojnë zyrtarisht deri në fund të vitit.
Nuk jam në pozitë të flas për diskutimin e brendshëm që po zhvillohet në Këshill. Le të fokusohemi në çështjet e rëndësishme! Vendimi historik për të filluar negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut u miratua në mars. Pastaj Komisioni Evropian paraqiti propozim-kornizën negociuese. Kjo u diskutua nga shtetet anëtare, duhet të pajtohen dhe pastaj do të miratohet në konferencën e parë ndër-qeveritare. Shpresojmë të mbahet sa më shpejtë dhe pastaj t’i përveshim mëngët dhe t’i përshpejtojmë reformat për anëtarësim në BE – tha David Geer, Ambasador i BE-së.
Ambasadori, Geer inkurajoi vendin t’i zbatojë marrëveshjet që ka nënshkruar me Bullgarinë dhe atë me Greqinë dhe t’i zbatojë reformat, veçanërisht në Sundimin e Ligjit. Zaev nga ana tjetër u zotua se në rrugën drejt anëtarësimit në BE nuk do të lejojë më shtyrje të reja. Tha se pret që korniza negociuese të miratohet më 10 nëntor dhe konferenca e parë ndër-qeveritare të mbahet në dhjetor.