Ndëroi jetë gruaja nga Kumanova që dhuroi “qystek” 2 metërsh për UT

Për vdekjen e bashkëshortes së veprimtarit të madh të cështjes kombëtare, Vaid Saiti (ndërroi jetë para pak ditësh), ka shkruar edhe ish drejtori i Televizionit Hana nga Kumanova, Selver Ajdini.

Marketing

Ky i fundit me anë të një postimi në Facebook, kujtoi se si zonja Drita Bajrami Saiti në vitin 1994 kishte dhuruar qaforen për Universitetin e Tetovës, shkruan News-TV.

Ja postimi i plotë:
Paska ndërruar jetë Znj.Drita Bajrami Saiti, bashkëshortja e tani më të ndjerit ish kryetarit te komunës së Likovës ,Z.Vaid Saiti.

Në emisionin që transmetohej live ne Tv Hana në vitin 1994, Rektori i Universitetit të Tetovës prof.dr.Fadil Sulejmani shpalosi qaforen (qystek) prej ari prej dy metrash, që kjo bashkëfshatare e imja për mbarvajtje të proçesit mësimor i dhuroi Universitetit të Tetovës .
Kështu janë nënat tona!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e saj!/

UT ngushëllon familjen Saiti: Zonjës Dritë stolitë e arit iu bëfshin dritë!

Telegram ngushëllimi

Të nderuar miq,

Themelimi i Universitetit të Tetovës, përtej një date me rëndësi për historinë e arsimit shqip në trojet tona etnike, na e përkujton vendosmërinë, përkushtimin e prindërve tanë për këtë institucion, i cili për ta ishte ideal kombëtar.

Njëra prej tyre – simbol i idealizmit për Universitetin e Tetovës ishte dhe do të mbetet zonja Drita Bajrami –Saiti, “Marigona” e Universitetit tonë, e cila në vitin 1994, ish-Rektorit, Prof.Dr. Fadil Sulejmanit ia dhuroi stolitë e saj të arit si donacion (ndihmë) për Universitetin e Tetovës.

Me dhimbje të thellë e mora lajmin se Zonja Drita sot ka ndërruar jetë.

Janë momente tejet të vështira të përshkruash dhimbjen për arsimdashësit, ata që në momentet më të vështira për institucionin tonë kombëtar u bënë dritë në rrugën e formësimit të Universitetit tonë – Universitetit të Tetovës.

Të nderuar miq,

Ne drejtuesit e UT-së, punonjësit e arsimit dhe shkencës, qindra e mijëra studentë të fakulteteve tona, që nga gjenerata e parë e deri tek e fundit, sot na ka pllakosur dhimbja për ndarjen nga jeta të Zonjës Dritë. Ne të gjithë, së bashku u shprehim ngushëllimet më njerëzore familjes së njohur Saiti nga Likova, opinionit publik dhe veprimtarëve të arsimit shqip në vendin tonë.

Sukseset e Universitetit janë të përbashkëta, por mirënjohja u takon atyre që dhanë gjithçka për këtë që ne kemi sot.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i Saj!

U prehtë në paqe!

Prof. Dr. Vullnet Ameti

Rektor i Universitetit të Tetovës