Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi takoi sot ambasadorin e
Republikës Çeke, z.Mirosllav Toman, me të cilin ranë dakord se
ekzistojnë kushte për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis
Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Çekisë.
Ambasadori i Republikës së Çekisë, z.Mirosllav Toman theksoi se do të
vazhdojë të jap kontribut me qëllim thellimin e marrëdhënieve të mira
dypalëshe.
Nga ana e tij zëvendëskryeministri i parë Grubi i tha ambasadorit çek se
vlerëson përkrahjen dhe ndihmën e deritanishme të Republikës Çeke që ia
ofron vendit, në veçanti në bashkëpunimin e dy vendeve në pjesën e
kontrollit të kufirit të Maqedonisë së Veriut, vija kufitare me Greqinë,
por edhe në drejtim të integrimit euroatlantik.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe
më tej me kusht që i njëjti të zgjerohet dhe përforcohet.
Grubi gjatë takimit me ambasadorin çek është shprehur se rruga e
drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit do të arrihen vetëm përmes
vetingut ndaj bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe
prokurorëve.
Ambasadori Toman dhe zëvendëskryeministri i parë Grubi folën edhe për
zhvillimet ne Maqedoninë e Veriut dhe marrëdhëniet e mira
ndër-fqinjësore si dhe për ngjarje të tjera me të cilat po përballet
rajoni.