Shtëpia shtetërore e studentëve “Shkup” publikoi orar për shpërngulje në shtëpitë “Stiv Naumov” (ndërtesa dhe baraka), “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe “Goce Dellçev”. Ato hapen sonte në pajtim me vendimin e Qeversë dhe me rekomandim të Komisionit për sëmundje infektive do të pranojnë me kapacitet të përgjysmuar dhe me respektim të ashpër të protokolleve për mbrojtje nga KOVID-19.
Në pajtim me protokollet, kapaciteti në shtëpitë studentore në Shkup është 2080 vende, ndërsa deri tani janë pranuar gjithsej 1614 studentë. Në një dhomë me dy shtretër do të vendoset një student, ndërsa në dhomë me më shumë se dy shtretër, do të vendosen më së shumti dy studentë. Në hyrjet e shtëpive të studentëve do të ketë dispanserë pakontaktues për dezinfektim. Do të ndalohet shfrytëzimi i hapësirave të përbashkëta, ndërsa në mensat, tavolinat do të jenë larg njëra tjetrës dy metra dhe në secilën prej tyre mund të ulen maksimum nga dy studentë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska pardje kumtoi se ka edhe vende shtesë të lira për vendosje të studentëve, nëse në periudhën e ardhshme disa fakultete e ndryshojnë mënyrën e realizimit të mësimit.
Deri më 10 tetor zgjat edhe paraqitja në internet platformën www.digitalizirajse.mon.gov.mk për vlerën e njëfishtë prej 6.000 denarëve për studentë të kategorive të prekshme, të cilët i plotësojnë kushtet. Mjetet mund t’i shfrytëzojnë për vendosje, e po ashtu edhe për participim për studentët.