Freedom House vëren se pandemia e koronavirusit është duke normalizuar një lloj të ri të autoritarizmit digjital dhe po përshpejton një rënie dramatike të lirisë globale të internetit.
Në raportin “Liria në internet për vitin 2020” që ka përfshirë 65 shtete, të cilat përbëjnë 87 për qind të përdoruesve të internetit në të gjithë botën, theksohet se ky fenomen po kontribuon në një krizë më të gjerë për demokracinë.Më tej në raport nënvizohet se kriza e shëndetit publik ka krijuar një hapje për dixhitalizimin, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave më intime të njerëzve, pa mbrojtje të përshtatshme ndaj abuzimeve.
“Qeveritë dhe subjektet private po rritin përdorimin e tyre të inteligjencës artificiale, mbikëqyrjes biometrike dhe mjeteve të të dhënave të mëdha për të marrë vendime që prekin të drejtat ekonomike, sociale dhe politike të individëve. Këto praktika krijojnë perspektivën për një të ardhme distopike në të cilën kompanitë private, agjencitë e sigurisë dhe kriminelët kibernetikë gëzojnë qasje të lehtë jo vetëm në informacione të ndjeshme në lidhje me vendet që ne vizitojmë dhe sendet që blejmë, por edhe në historitë tona mjekësore, modelet e fytyrës dhe zërit, dhe madje edhe kodet tona gjenetike.”
Organizata Freedom House vlerëson se sovraniteti kibernetike është në rritje ndërsa asnjë qeveri nuk ka patur qasje më agresive ndaj krizës së shëndetit publik sesa Kina, e cila është kthyer në abuzuesen më të keqe të lirisë në internet për të gjashtin vit me radhë.