Britania akuzon Rusinë për fushatë dezinformimi ndaj vaksinave perëndimore

Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab akuzoi të premten Rusinë për një fushate dizinformimi në të gjithë botën që synon të thyejë besimin e publikut tek vaksinat perëndimore kundër koronavirusit. Zoti Raab e quajti këtë një veprimin “të dënueshëm” në një kohë kur vendet siç tha ai, duhet të bashkohen për të luftuar një pandemi që ka shkaktuar vdekjen e një milion njerëzve.

Marketing

“Aktet e kujdo që po përpiqet të sabotojë përpjekjet e atyre që po punojnë për të prodhuar një vaksinë, janë thellësisht të dënueshme. Kjo sjellje është e papranueshme dhe e pajustifikuar në çdo rrethanë”, tha Ministri i Jashtëm britanik gjatë një interviste për Sky News të Britanisë.

Analistët që trajtojnë çështje të dezinformimit thonë se fushata, e cila duket se ka si objektiv kryesisht vendet që kanë shifra të larta të koronavirusit, përfshirë Brazilin, Indinë dhe Indonezinë, duket se synon pjesërisht të krijojë një treg për vaksinën ruse Sputnik V, për të cilën virologët perëndimorë druhen se po prodhohet me nxitim dhe pa u kryer provat e duhura klinike.

Studiuesit e qendrës Evropa kundër Dizinfomimit, pjesë e një grupi pune (East StratCom) të krijuar në 2015-n nga Bashkimi Evropian për të luftuar dezinformimin rus, thonë se fushata ka në qendër vaksinat që po zhvillohen nga kompanitë perëndimorë e që konsiderohen “eksperimentale”, duke thënë se për to është kryer pak studim dhe se mbështeten në teknologji të paprovuara.

“Ky qasje është pjesë e dezinformimit në vazhdim pro-Kremlinin që synon të reklamojë vaksinën Sputnik V dhe të paraqesë Rusinë si udhëheqëse në menaxhimin e COVID-19-s”, thuhet në një raport nga grupi i punës së BE-së. Sipas raportit lajmet e rreme, manipulimi i medias sociale dhe përhapja e teorive të konspiracionit janë elementët kryesorë të fushatës ruse ndaj vaksinave perëndimore.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të premten se avantazhet e vaksinës ruse Sputnik V, “po njihen nga shumë vende”. Peskov i hodhi poshtë akuzat se Moska ka filluar një fushatë dezinformimi lidhur me vaksinat.

“Akuzat nuk kanë kuptim sikurse dhe komentimi i tyre. Rusia nuk po i jep askujt informacione të rremë”, tha ai.

Por sipas një hetimi të botuar së fundmi nga gazeta britanike The Times, vaksina për të cilën po punon universiteti i Oksfordit në partneritet me kompaninë farmaceutike AstraZeneca, duket se ka qenë veçanërisht e shënjestruar për denigrim, prej fushatës dezinformuese me origjinë nga Rusia.

“Piktura, meme dhe pamje filmike që përshkruajnë vaksinën e prodhuar në Britani si të rrezikshme janë sajuar në Rusi dhe ndërmjetësit po kërkojnë t’i “mbjellin” këto imazhe në mediat sociale në të gjithë botën” shkruhej në gazetë.

Fushata ka në shënjestër ato vendeve ku Rusia dëshiron të shesë vaksinën e saj Sputnik V si dhe kombet perëndimore.

Një sinjalizues i përfshirë në fushatë i tha gazetës se qëllimi kryesor i ofensivës mediatike është vendosja e imazheve në faqet perëndimore në internet dhe në vende të tilla si India dhe Brazili, ku Rusia po përpiqet ta tregtojë vaksinën e saj.

Sipas tij po paguhen persona me ndikim në internet në faqe perëndimore me qëllimin për të përfshirë dizinformatat në platformat e tyre në median sociale. Mediat e kontrolluara nga shteti rus më pas i marrin imazhet dhe i përdorin ato duke pretenduar për rritje të skepticizmit publik në perëndim lidhur me vaksinat. Sinjalizuesi tha se i bëri të ditura informacionet mbi këtë çështje, pasi ishte i shqetësuar se fushata ruse mund të dëmtonte përpjekjet për të ndalur korovirusin