Bekteshi-Martens: Edhe përkundër pandemisë, investitorët gjermanë planifikojnë investime të reja dhe zgjerimin e prodhimit në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë ditës së sotme u takua me Drejtorin e Delegacionit të ekonomisë gjermane në Maqedonisë e Veriut, Patrick Martens.

Marketing

Temë e takimit ishin masat e miratuara nga Qeveria për të mbështetur kompanitë e prekura nga kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga pandemia, si dhe planet e punës së investitorëve gjermanë në vend.

“Kompanitë gjermane janë një nga investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut, dhe ne si Qeveri jemi në dialog të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit në mënyrë që masat që ndërmarrim për të mbështetur biznesin të jenë në përputhje me nevojat e kompanive. Si Ministri e Ekonomisë, ne jemi gati menjëherë pas miratimit të rebalansit të buxhetit për të filluar zbatimin e masave të Pakos së katërt të masave që janë nën kompetencën tonë,” deklaroi Ministri Bekteshi.

Ai informoi se me kërkesë të investitorëve të huaj, Ministria e Ekonomisë së bashku me të gjitha departamentet ekonomike në Qeveri po punojnë intensivisht për harmonizimin e detyrimeve doganore në vend me ato të Bashkimit Evropian, që do të nënkuptojë lehtësimin e punës së kompanive në vend, para së gjithash në sektorin e automobilave.

“Jam i gëzuar nga ajo që Z. Martens më informoi se më shumë kompani gjermane janë të interesuara në hapjen e fabrikave të reja në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu që shumë nga investitorët ekzistues gjermanë po planifikojnë të zgjerojnë investimet e tyre në vend,” ceku Ministri Bekteshi.

Drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane në Maqedoninë e Veriut, Patrick Martens tha se për kompanitë në këtë moment përparësia më e madhe është parashikueshmëria në planifikim dhe sigurinë ligjore.

“Kompanitë gjermane që veprojnë në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Gjermani po përballen me probleme gjatë procesit të punës të shkaktuara nga pandemia. Tregtia mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Gjermanisë përpara krizës theu rekorde dhe arriti një nivel prej 4.4 miliardë euro, por si rezultat i krizës tani po bie. Askush nga ne nuk është i sigurt se kur do të përfundojë pandemia, por ajo që mund të them është se po marrim sinjale pozitive nga kompanitë gjermane që veprojnë në Gjermani dhe kompanitë gjermane që veprojnë në Maqedoninë e Veriut. Ata besojnë se sapo të mbaroj pandemia dhe nëse këto kushte pune mbeten planifikojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin investimet e tyre në të ardhmen, madje ka interes për investime të reja,”  theksoi Martens.