Një anije e Marinës greke u përplas me një anije tregtare të Pireut këtë mëngjes.
Nga goditja me anijen tregtare “Maersk Launceston” që mbante flamurin e Portugalisë, anija greke “Kallisto” pësoi dëme të mëdha materiale. Mediat greke shkruajnë se anija ushtarake greke është ndarë në gjysmë dhe një pjesë e saj është e zhytur në ujë.
Raportohet se në bordin e anijes së Marinës “Kallisto” ishin 27 persona. Të paktën dy persona u plagosën lehtë dhe u transportuan me ambulancë në Spitalin Detar të Athinës. 25 anëtarët e tjerë të ekuipazhit u evakuuan dhe u transferuan në një anije tjetër të Marinës.
Operacioni për nxjerrjen e “Kallisto” nisi pak më parë. Sipas informacionit të deritanishëm, “Kallisto” e gjatë 57 metra kishte lundruar nga porti i Salamis, kur ndodhi aksidenti.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.