Shqipëria luan në muajin nëntor kundër Kazakistanit dhe Bjellorusisë dy takimet e fundit në Nations League dhe kuqezinjtë synojnë të fitojnë, sikurse edhe në miqësore ndaj Kosovës. Gjithsesi për trajnerin Edoardo Reja situata nuk duket e mirë.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa lojtarë që kanë pasur probleme me dëmtimet. Mesfushori Keidi Bare, titullar me Shqipërinë kohët e fundit, është dëmtuar me Espanyol dhe pritet të mos jetë gati për grumbullimin e radhës.
Një tjetër lojtar i dëmtuar është edhe mbrojtësi i Lecce, Kastriot Dermaku. Ai rrezikon të mungojë, ndërkohe që edhe i riu Jon Mersinaj nuk po luan te Lokomotiva Zagreb për shkak dëmtimi.
Reja duhet të shpresojë që të mos ketë pengesa nga klubet italiane, pasi pjesa më e madhe e mbrojtësve të kombëtares luajnë atje. Ardian Ismajli është rikthyer të luajë dhe ka debutuar me Spezia në Kupën e Italisë.
Shqetësimi tjetër i Rejës është Myrto Uzuni. Prej gati dy javësh, sulmuesi i Ferencvaros ka rezultuar pozitive COVID-19 dhe nuk është stërvitur akoma me skuadrën e tij. Kështu shanset që të jetë me kombëtaren janë të vogla.