Holanda kundër negociatave me Shqipërinë

Shqipëria parakalohet edhe nga Maqedonia e Veriut në rrugën e integrimit evropian.

Marketing

Holanda, një prej vendeve skeptike për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë duket se ka marrë tashmë vendimin për t’i dhënë më shumë kohë qeverisë së Tiranës për të përmbushur kushtet e vëna duke e konsideruar të pamjaftueshëm progresin e bërë me reformat.

Në një dokument të siguruar nga lapsi.al është ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok që i ka paraqitur qeverisë së tij një përmbledhje të situatës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Maqedoninë e Veriut thuhet se mund të mbajë tryezën e parë ndër-qeveritare që shënon nisjen e negociatave ndërsa për Shqipërinë thuhet se ka ende për të bërë.

“Në mars, Këshilli Evropian vendosi që për Shqipërinë të mbajë tryezën e parë ndër-qeveritare nëse do të ishin përmbushur kushtet e vendosura. Për qeverinë (shqiptare) është thelbësore që të ardhmen të bëjë më shumë progres në këto çështje dhe vetëm nëse kushtet e përcaktuara nga Këshilli Evropian në mars janë plotësuar në mënyrë bindëse do të mbahet tryeza e parë ndërqeveritare me Shqipërinë” – thuhet në dokumentin e ministrit të jashtëm holandez të siguruar nga lapsi.al.

 

Ndër pikat që qeveria holandeze shikon pak përparim është reforma në drejtësi duke theksuar se ende nuk është bërë funksionale Gjykata Kushtetuese, citon lapsi.al. Holanda frenon edhe qëndrimet e Komisionit Evropian.

“Qeveria (holandeze) mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se “pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur” është i parakohshëm” – thuhet në dokumentin e ministrit të jashtëm holandez.

“Qeveria (holandeze) mbështet vlerësimin e Komisionit se nuk ka ende kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe se duhet bërë përparim i mëtejshëm në lidhje me rishikimin e ligjit për mediat bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias. Pavarësisht emërimit të disa jo-magjistratëve, Gjykata e Lartë nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet. Janë ndërmarrë hapa kryesorë, në veçanti, në fushën e vetingut të gjyqtarëve të vjetër dhe prokurorëve, por kjo ende nuk po çon në dënime aktuale të gjyqtarëve të cilët ishin akuzuar për akuza penale gjatë aktivitetit të tyre.

Korrupsioni mbetet një problem i madh dhe i përhapur që do të vazhdojë të kërkojë vëmendje në vitet që vijnë. Në këtë kontekst, është pozitive që SPAK tani është plotësisht funksional. Raporti i fundit i GRECO thotë se Shqipëria po punon kundër korrupsionit. Por Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në ndërtimin e një historiku solid në hetimin dhe ndjekjen penale përfundimtare duke dënuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet”- thuhet ndër të tjera në këtë dokument.