Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me ambasadorin austriak, Georg Vucas, vizituan familjarët e viktimës Nexhip Vrenezi, i cili ishte një nga civilët që pësuan në sulmin terrorist në Vjenë, që ndodhi më pak se një muaj më parë.
“Shprehëm ngushëllimet tona të thella për humbjen e tyre, duke konstatuar se kjo është një humbje për të dy vendet – Austrinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët humbën një qytetar të ndershëm, punëtor dhe lojal” tha Osmani, duke falënderuar pritjen e ngrohtë të familjes Vrenezi, të cilët pranuan porositë për keqardhjeje dhe ngushëllime në këto kohë të vështira për ata.
Osmani theksoi se terrorizmi është një kërcënim i rrezikshëm, nga i cili askush prej nesh nuk është i mbrojtur askund.
“Nexhip Vrenezi, edhe pse me origjinë nga Veleshta, ai ka lindur në Vjenë dhe ishte një qytetar i lumtur dhe i suksesshëm i Austrisë; person i ri, i shkolluar, i cili dëshironte të studionte mjekësi” tha Osmani.
Zëvendës kryeministri, theksoi se terrorizmi jo vetëm që nuk zgjedh kë do të rrezikojë, por nuk zgjedh as vendin.
“Ashtu si autorët e krimit edhe viktimat mund të jenë nga kudo, nga çdo origjinë dhe në ;do vend. Ne të gjithë jemi në një farë forme viktima të këtij kërcënimi , të gjithë jemi shënjestra të mundshme dhe prandaj duhet së bashku të kundërshtojmë dhe të mbrohemi nga kjo e keqe”, tha Osmani.
Ministri Osmani theksoi se me ambasadorin Vucas janë në kontakt të vazhdueshëm që nga dita e këtij akti terrorist, duke siguruar që të dy vendet kanë besim të plotë, bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv në të gjitha fushat e mundshme, nga siguria, informacioni e deri te bashkëpunimi politik.