Lajmi i prodhimit të një vaksine të dytë që krijon mbrojtje ndaj COVID-19, nuk do të thotë që duhen neglizhuar masat e parandalimit të infektimit, theksoi presidenti i zgjedhur i SHBA, Joe Biden.
Pasi kompania amerikane “Moderna” njoftoi se vaksina e saj eksperimentale krijonte 95% mbrojtje ndaj koronavirusit, Joe Biden përgëzoi me anë të një mesazhi në Tëitter ata që kanë punuar për krijimin e saj, por paralajmëroi amerikanët se shpërndarja e saj është ende muaj larg.
“Lajmi i sotëm për një vaksinë të dytë është arsyeja tjetër për t’u ndjerë me shpresë. Ajo që ishte e vërtetë me vaksinën e parë mbetet e vërtetë me të dytën. Jemi akoma muaj larg. Deri në atë kohë, amerikanët duhet të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror dhe maskën për të vënë nën kontroll virusin. Edhe një herë, unë përgëzoj gratë dhe burrat e shkëlqyeshëm që prodhuan këtë përparim dhe na kanë sjellë një hap më afër për të mposhtur këtë virus. Unë jam mirënjohës për punonjësit e vijës së frontit të cilët ende po përballen me virusin gjatë gjithë kohës”, shkruan Biden.
Më herët për lajmin e një vaksine të dytë antiCOVID, reagoi edhe presidenti në detyrë i SHBA, Donald Trump i cili theksoi faktin se nuk duhet harruar se ky zbulim ka ndodhur në një kohë kur ai ka qenë president.
Vaksina e kompanisë “Moderna” është e dytë që ka rezultuar efektive në mbrojtjen ndaj COVID-19. Më herët, Pfizer dhe BioNTech njoftuan se kishin arritur të krijonin një vaksinë që garanton 90% mbrojtje. Aktualisht të dy vaksinat presin miratim nga autoritetet përkatëse për të nisur prodhimin në masë.