Pas më shumë se një viti e gjysmë ngecje në punimet ndërtimore, faza e parë e ndërtimit të ekspres rrugës Gradsko-Prilep pritet të vazhdojë të realizohet në fillim të vitit 2021. Tenderi për përfundimin e aksit ndërmjet grykës Farishka dhe asaj të Drenovës, i gjatë 10 km, ishte publikuar më 4 shtator, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara është zgjatur për 21 ditë, pra zgjat deri më 24 nëntor, njofton “Meta.mk” nga Ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore, transmeton Portalb.mk.
“Pas përfundimit të procedurës së plotë për vlerësimin dhe zgjedhjen e një kontraktori sipas rregullave të BERZH, pritet që kontrata e ndërtimit t’i jepet kontraktuesit në shkurt, 2021. Afati i fundit për të kryer punët ndërtimore është 730 ditë (2 vjet)”, kanë informuar nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore.
Përndryshe, ekspres rruga Gradsko-Prilep ndodhet në trasenë e krahut D të Korridorit rrugor 10, i cili përmes Prilepit, Manastirit dhe Florinës çon në portin Grek në Igumenicë. Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e vendin tonë për vitin 2020 ka bërë vërejtje se punimet për përfundimin e Korridorit rrugor 10-e në vend po shtyhen nga autoritetet në vend.
Faza e parë e autostradës Gradsko-Prilep duhet të ketë një korsi trafiku në secilin drejtim prej 3.5 metrash, si dhe një korsi ndihmëse për ndalim të gjerë 2.5 metra. Punët ndërtimore u ndalën në verën e vitit 2019, pasi kontraktuesi i atëhershëm “Konstruksiones Rubau S.A.” në mars të vitit 2019 njoftoi se e braktis kontratën për ndërtimin e kësaj ekspres rruge. Kompania spanjolle përfundoi vetëm 35% të punëve të realizuara në rrugë, megjithëse ndërtimi i ekspres rrugës filloi në vitin 2016.
Lidhur me fazën e dytë të autostradës Gradsko-Prilep, Ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore informon se që deri në fund shtatorit të vitit 2020, realizimi i përgjithshëm i punëve ndërtimore është 34 përqind. Përfundimi i kësaj faze varet nga negociatat të cilat po zhvillohen për nënshkrimin e kontratës për ndërtim. Bëhet fjalë për trasenë rrugën nga Gradsko në grykën e Drenovës, e gjatë 16 km, e cila filloi të ndërtohej në maj 2018. Fondet për këtë fazë, në vlerë prej 23 milion euro, janë siguruar nga fondet e Bashkimit Evropian.
Ndërtimi i tre fazave të autostradës Gradsko-Prilep ishte paraparë të përfundonte deri në vitin 2020, por afati për përfundimin e saj u shty për shkak të ndërprerjes së kontratës për realizimin e fazës së parë. Ndërkohë, NP rrugët shtetërore në periudhën e kaluar ka punuar në rindërtimin e rrugës në rrugën ekzistuese midis Gradskos dhe Prilepit.