Mjekët: Pacientët të informohen për efektet anësore të vaksinës kundër Covid-19

Autoritete shëndetësore dhe kompanitë e ilaçeve duhet të paralajmërojnë njerëzit për efektet anësore të vakcinës kundër koronavirusit, në mënyrë që ata ta dijnë çfarë të presin dhe që mos të frikësohen të marrin dozën e dytë, apelojnë nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në SHBA.

Marketing

Rekomandimet vijnë pasi shumë shtete amerikane tashmë kanë filluar të përgatiten për shpërndarjen e vaksinës potenciale kundër Covid-19.

Dr. Sandra Fryhofer nga Asociacioni Mjekësorë Amerikan tha se të dy vaksinat kundër koronavirusit të ri, respektivisht edhe vaksina nga Pfizer edhe nga Moderna aplikohen në dy doza në interval kohor të ndryshëm, transmeton Alsat.

Dr.Fryhofer thotë se si mjeke është e shqetësuar se mos ndoshta pacientët pas efekteve anësore nga doza e parë mund të mos paraqiten për marrjen e dozës së dytë.

“Duhet të informojmë pacientët se kjo nuk do të jetë një shëtitje në park. Ata do të njoftohen për efektet e vaksinës. Sigurisht se nuk do të ndihen mrekullueshëm, por duhet të vijnë të marrin dozën e dytë”, tha Fryhofer.

Pjesëmarrësit në testimin e vaksinës në kompaninë Pfizer dhe Moderna thanë për CNBC në shtator se kishin përjetuar ethe, dhimbje trupi, dhimbje koke, lodhje dhe simptoma të tjera pas marrjes së dozave të vaksinimit. Edhe pse simptomat ishin të pakëndshme, pjesëmarrësit deklaruan se ato zakonisht zhduken pas një dite.

Patsy Stinchfield, një infermiere nga Minesota, beson se zyrtarët dhe prodhuesit e ilaçeve duhet të përpiqen të flasin për efektet anësore në një mënyrë më pozitive. Sipas saj, do të ishte më e përshtatshme të përdoret një term i tillë si “përgjigje” në vend të “reaksion i padëshiruar”.

“Këto janë përgjigje imune. Nëse ndieni diçka pas vaksinimit, kjo është normale dhe e pritshme. Është normale të keni dhimbje ose lodhje në krahët tuaj, dhimbje trupi dhe ndoshta edhe ethe. Në disa raste do të duhet të qëndroni në shtëpi për të pushuar”, tha Stinchfield.

Ndryshe, të dy kompanitë pranuan se vaksinat e tyre mund të nxisin efekte anësore që janë të ngjashme me simptomat e buta të Covid-19 , të tilla si dhimbje të muskujve, ethe dhe dhimbje koke dhe se ndoshta pacientët do të kenë nevojë për pushim pas marrjes së dozës së dytë. Kompanitë tashmë kanë aplikuar në Agjencinë e Ilaçeve në SHBA(FDA)për miratim urgjent për përdorim dhe pritet që brenda një muaji të nisin vaksinimet në SHBA.