Besimi në “Ditët e edukimit financiar”: Rritje ekonomike dyfish më e lartë me Strategjinë e rritjes të zgjuar

Besimi në “Ditët e edukimit financiar”: Rritje ekonomike dyfish më e lartë me Strategjinë e rritjes të zgjuar
Besimi në “Ditët e edukimit financiar”: Rritje ekonomike dyfish më e lartë me Strategjinë e rritjes të zgjuar
Publikuar 14:37 29 Nëntor, 2020
Përmes zbatimit të konceptit të SMART-financave – në periudhë afatmesme , mund të arrijmë rritje ekonomike dyfish më të lartë krahasuar me dekadën e fundit, që do të thote – standard më i mirë për qytetarët, vende të reja pune, paga më të larta, shëndetësi më të mirë, arsim dhe mjedis jetësor, dixhitalizim të shërbimeve dhe shërbime më të mira publike në përgjithësi. Koncepti i SMART – financave tashmë është duke u implementuar me Propozim buxhetin për vitin 2021, ku për herë të parë ka planifikim afatmesëm, por edhe po vendosen mekanizma për monitorimin e realizimit. Në lidhje me këto tema ministri i Financave Fatmir Besimi diskutoi në ligjëratat që i mbajti në kuadër të “Ditët e edukimit financiar” në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe në Universitetin e Evropës Juglindore.

Marketing

Besimi theksoi se korniza afatmesme e buxhetit të ri bazohet në themelet ose ABC të tre platformave përmes të cilave duhet të sigurohet rimëkëmbja e ekonomisë dhe që do të veprojnë në vijim si katalizator për rritjen. Këto janë A. Strategjia për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar ose Strategjia për rritje më të zgjuar (SmartER Growth), B. Politikat për konsolidim fiskal dhe C. Plani për investime publike 2021-2025.

Strategjia për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar të ekonomisë bazohet në katër shtylla – rimëkëmbjen ekonomike shkaktuar nga Covid-19, rritjen e përshpejtuar gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, përforcimin e konkurrencës së sektorit privat dhe zhvillimin e burimeve njerëzore dhe mundësi të barabarta, theksoi ministri i Financave.

Ministri vuri në dukje se rimëkëmbja ekonomike nga Covid-19 do të zbatohet përmes masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjes sociale të kategorive më të rrezikuara, si dhe mbështetjes për ekonominë, sektorit privat dhe mbrojtjes së vendeve të punës, ndërsa pas rimëkëmbjes ekonomike, janë paraparë masa dhe politika për rritje ekonomike të përshpejtuar, përfshirëse dhe të qëndrueshme. Ato do të jenë në drejtim të menaxhimit të mirë – pra sundimit të së drejtës, zhdukjen e korrupsionit dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve, si dhe sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale, stabilitetin makroekonomik dhe financiar, sigurimin e zhvillimit rajonal dhe të barabartë lokal, mjedis jetësor të qëndrueshëm dhe të shëndoshë dhe dixhitalizit të ekonomisë dhe shërbimeve publike.

Besimi theksoi se njëkohësisht do të punohet në përforcimin e konkurrencës së sektorit privat, përforcimin e lidhjeve tregtare dhe integrimin në zinxhirët globalë. Në vazhdim do të ndërmerren veprime në drejtim të përmirësimit të mjedisit afarist dhe zhdukjen e ekonomisë gri, në përmirësimin e qasjes në financa dhe adaptimin e teknologjisë dhe modernizimin e bujqësisë.

Siç theksoi ministri i Financave Besimi, investimet në kapitalin njerëzor mbeten ndër përparësitë kryesore në Strategjinë për rimëkëmbjen dhe rritjen e përshpejtuar. Do të punohet në zhvillimin e mundësive të barabarta, zhvillimin e burimeve njerëzore përmes investimeve në arsim, shkencë dhe shëndetësi, nxitjen e aktivitetit më të madh të populates së aftë për punë, mbrojtjes sociale dhe sigurimit social.

Përveç politikave dhe masave të Strategjisë për rritje më të zgjuar, njëkohësisht do të zbatohen politika për zvogëlimin e deficitit, përkatësisht hendekut në anën e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit – përmes përmirësimit të arkëtimit të të ardhurave të buxhetit, zvogëlimin dhe ristrukturimin e shpenzimeve të buxhetit dhe ndryshimet në burimet e financimit sa i përket deficitit buxhetor.

Njëkohësisht, përmes ciklit të investimeve prej 3.1 miliardë euro për periudhën e ardhshme pesëvjeçare të Planit për investime publike 2021-2025, do të mbështeten projekte në lidhje me infrastrukturën rrugore, hekurudhor dhe komunale, gazifikimin, energjetikën, investimet në arsim dhe shëndetësi, etj. Përveç planifikimit të projekteve kapitale në kuadër të Komitetit nacional të investimeve në nivel të Qeverisë, do të vendosen metoda për nxitjen e shfrytëzuesve të buxhetit për realizimin e tyre – të tilla si metodologjia për “shpërblim dhe ndëshkim” e cila do të fillojë të zbatohet nga buxheti në vitin 2021. Resprektivisht, nëse shfrytëzuesit e buxhetit nuk i realizojnë shpenzimet e planifikuara kapitale me 15%, 40% dhe 65% përkatësisht për tremujorin e parë, të dytë dhe të tretë të vitit, mjetet do të ridestinohen. Gjithashtu, do të vendoset metodologji me të cilën do të vlerësohet impakti i shpenzimeve kapitale në ekonomi, theksoi Besimi.

Ministri i Financave u kyç me ligjëratat e tij në Ditët e edukimit financiar me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e edukimit financiar, sepse ashtu siç theksoi – edukimi më i madh financiar i individëve është i rëndësishëm për ekonominë në tërësi, sepse me marrjen e vendimeve të mira individuale financiare kontribuohet në rezultate më të mira ekonomike në përgjithësi.