Për ambientin jetësor dhe çështjet komunale në Shkup nuk do të ekzistojnë më kufijtë administrativ ndërmjet komunave. Inspektorët e ambientit jetësor dhe mbajtësit e rendit do të punojnë së bashku në tërë territorin e kryeqendrës, bëri të ditur kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, pas takimit me kryetarët e komunave.
“Këtë ekip të përbashkët e formojmë për ruajtjen e ambientit jetësor dhe natyrës, ndërmarrjen e masave për mbrojtje dhe pengimin e ndotjes së tokës dhe ajrit, mbrojtjes nga zhurma dhe rrezatimi i ozonit, bazuar në ligjin e pushtetit lokal. Qëllimi ynë është shërbime efikase dhe të pavarura të inspektimit. Eliminimi i plotë i hapësirës për keqpërdorim të shërbimit, me më shumë dënime për ata që nuk e respektojnë ligjin dhe më shumë edukim të qytetarëve.”,- theksoi kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
Sipas kësaj mase, inspektorë nga një komunë do të angazhohen në komunë tjetër për të marrë masa ndaj shitësve jolegal apo raste tjera për të qenë më objektiv dhe më të suksesshëm, tha Shilegov, i cili njëherit propozoi që në parkun në Gjorçe Petrovit të dislokohen përmendoret nga projekti “Shkupi 2014”. Në këtë mënyrë nuk do të cenohet ndjenja e atyre qytetarëve që dëshirojnë t’i shohin ato përmendore. Shilegov sqaroi se shembull të tillë ka në Hungari ku ekziston një park i përbashkët përmendoresh.