Grubi priti në takim ambasadorin e ri italian Silvestri: Maqedonia e Veriut i takon Evropës

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi, u takua sot me Andrea
Silvestrin, ambasadorin e ri të Republikës së Italisë në Shkup.
Në këtë takim u bisedua për përkrahjen e Italisë lidhur me integrimet
euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Grubi dhe Silvestri
u pajtuan se Republika e Maqedonisë së Veriut në të gjitha mënyrat e
mundshme i përket Evropës dhe me këtë rast që të dy bashkë shprehën
optimizëm që vendi të vazhdojë të shënoj përparim në rrugën drejt
integrimit evropian.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi iu falënderua për miqësinë e sinqertë
dhe tradicionale me Republikën e Italisë që ka Maqedonia e Veriut dhe me
këtë rast i shprehu gatishmëri për thellimin edhe më të madh të
bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, për
çka u vlerësua se ekziston interes nga të dyja palët.
Gjatë këtij takimi Grubi theksoi se Italia është përkrahëse e madhe e
vendit dhe falënderoi autoritetet italiane për ngritjen e zërit për
çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Grubi tha që edhe në dy ditët në vijim, sot e nesër, do të bëjmë
përpjekjet e fundit për këtë vit që ta zhbllokojmë procesin e mbajtjes
së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, por edhe ne çdo rast,
nuk do të ndalim proceset tona reformuese dhe përafruese me standardet
evropiane.
Grubi i tha ambasadorit italian Silvestri që prioritetet tona në vijim
janë: shëndeti publik, ekonomia dhe vendet e punës, drejtësia
joselektive dhe sundimi i ligjit përmes vetingut ndaj bartësve të
funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve, etj.