Sulm kibernetik ndaj Agjencisë Evropiane të Barnave

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha të mërkurën se ishte viktimë e një sulmi kibernetik, vetëm disa javë para se të vendosë për miratimin e dy vaksinave kandidate kundër koronavirusit.

Marketing

Agjencia, me bazë në Amsterdam, tha se incidenti është duke u hetuar por nuk tha saktësisht se kur ndodhi sulmi apo cilat të dhëna ishin shënjestruar.

“EMA ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik. Agjencia ka nisur me shpejtësi një hetim të plotë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet për zbatimin e ligjit dhe njësi të tjera përkatëse”, thuhet në njoftim.

Një zëdhënëse e agjencisë u kontaktua nga agjencia AFP, por ajo nuk bëri më shumë detaje.

EMA ka thënë se do të vendosë për miratimin me kusht për vaksinën e Pfizer/BioNTech në një takim që do të mbahet më së voni deri më 29 dhjetor.

Një vendim për vaksinën tjetër të kompanisë Moderna, duhet të pasojë deri më 12 janar.

Rregullatori po kryen gjithashtu rishikime të vaksinave të zhvilluara nga Universiteti i Oksfordit/AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.