Ligji për regjistrimin e popullsisë mund të miratohet në seancën e parë plenare pas festave. Shumica parlamentare beson se më 11 janar ligji do të gjejë mbështetjen e gjithë përbërjes parlamentare. Kreu i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi thotë se teksti i ligjit është i pandryshueshëm dhe se kërkesa e opozitës shqiptare ASH-AAA për Komision Shtetëror për Regjistrim rrezikon konceptin për regjistrim efikas.
Me këtë propozim të opozitës shqiptare në tërësi ndryshohet koncepti i këtij ligji. Komision për regjistrim kemi pasur në vitin 2011 i cili u tregua i pasuksesshëm dhe me ndikim politik. Në këtë ligj neve kemi dhënë besimin ESHS-së, ku përmes nënshkrimeve të lidhura të drejtorëve në secilën fazë të regjistrimit do të miratojnë aktet e tyre dhe do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e regjistrimit – deklaroi Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.
Ademi shton se afatet e parapara ligjore janë në favor të metodologjisë e cila duhet përgatitur së paku 1 muaj para regjistrimit.
Unë besoj se të gjitha afatet në kuadër të ligjit për regjistrim janë të arritshme, janë reale dhe të mundshme – tha Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.
VMRO-DPMNE-ja gjatë debatit në komision ka hequr dorë nga kërkesa për zbatimin e regjistrimit përmes detektimit të vijave papilare në gishtërinjtë. Regjistrimi i popullsisë parashikohet të realizohet nga 1 deri më 21 prill të vitit që pason.