Olimpiada do të mbahet, me gjithë shqetësimet nga koronavirusi

Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Tokio 2020, të shtyra nga viti i kaluar, do të mbahen këtë verë, pavarësisht shqetësimeve për rritjen e rasteve me koronavirus, tha kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga.

Marketing

Olimpiket pritet të nisin më 23 korrik, ndërsa do të pasohen nga Lojërat Paralimpike një muaj më vonë, nga 24 gushti.

Rastet me koronavirus janë rritur ditëve të fundit në Japoni. Tokio ka raportuar mbi 1,000 infektime në ditë për herë të parë.

Por, kryeministri japonez tha se “Lojërat do të mbahen këtë verë” dhe “do të jenë të sigurta”.

Japonia është duke iu përgjigjur rasteve të variantit të ri të koronavirusit, i cili për herë të parë është gjetur në Mbretërinë e Bashkuar.

Guvernatori i Tokios, Yuriko Koike, paralajmëroi se numri i infeksioneve mund të “shpërthejë”.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Japonia ka regjistruar mbi 239,000 raste me koronavirus dhe 3,337 viktima gjatë pandemisë COVID-19.

Kostoja për Lojërat është rritur për 2.8 miliardë dollarë, për shkak të masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.