Partizani do të zhvillojë merkaton e janarit. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës ka anuluar dënimin për bllokimin e merkatos. Lajmi është dhënë nga vetë klubi përmes një deklarate në faqen zyrtare.
Vendim ishte marrë nga FIFA, pasi e kishte konsideruar të parregullt transferimin e Erald Çinarit te të kuqtë. Klubi kryeqytetas bën me dije se ky është një njoftim paraprak, deri në zbardhjen e plotë dhe përfundimtare të vendimit që ka marrë CAS, përmes të cilit do të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje.
Njoftimi
“Klubi njofton se sot është bërë me dije nga CAS për heqjen e pezullimit të sesionit të transferimit të lojtarëve, vendim që ishte në fuqi nga FIFA në lidhje me çështjen e sulmuesit Erald Çinari.
Klubi saktëson se ky është një njoftim paraprak, deri në zbardhjen e plotë dhe përfundimtare të vendimit që ka marrë CAS, përmes të cilit do të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje. Nga ky moment tashmë FK Partizani rifiton të drejtën për të operuar në merkaton e Janarit”, njofton klubi.