Bushi: BDI do ta mbështesë pr/Ligjin për shtetësinë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, nga radhët e BDI-së, i përgjigjet publikisht pyetjes së Koalicionit ASH-AAA për propozim Ligjin për shtetësinë.

Marketing

Ai i tha TV21, se propozim Ligjin për shtetësinë do ta përkrahë edhe BDI-ja, por edhe vetë ai si zv/ministër i MPB-së.

Bushi vlerëson se në propozim Ligjin për shtetësi ka elemente të cilët kontribuojnë në plotësimin e duhur të ligjit në fjalë dhe se mundësohet lehtësim për qytetarët tanë që të pajisen me nënshtetasi.

“Propozim ligjin për shtetësi të parashtruar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do ta përkrahë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, nënkuptohet edhe unë si zëvendësministër i Punëve të Brendshme pasi që vlerësojë se në këtë propozim ligj ka elemente të cilat kontribuojnë në plotësimin e duhur të ligjit në fjalë, respektivisht mundësohet lehtësim për qytetarët tanë që të pajisen me nënshtetasi”, tha Nazim Bushi për TV21.

Bushi për TV21, bëri të ditur se është i njoftuar me mendimin e MPB-së, dërguar Qeverisë së vendit dhe sipas tij, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për shtetësinë kërkon debat.

“Unë si zëvendësministër i Brendshëm jam i njoftuar me mendimin e MPB-së dërguar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut mbi propozim ligjin për shtetësi të propozuar nga ASH-AAA. Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për nënshtetësi gjithsesi se kërkon debat, njëjtë edhe mendimi i MPB-së dorëzuar qeverisë”, tha për TV21, Nazim Bushi – zëvendësministër i Punëve të Brendshme.