Me shpifje nuk njolloset puna e drejtorit të Spitalit të Dibrës, Baki Alili

Linçimi dhe tendenca për njollosje të figurave publike dhe sidomos personaliteteve të shquara që me punën e tyre janë vënë në shërbim të komunitetit, tashmë është bërë praktikë e mediave online që vihen në shërbim të qarqeve të caktuara e që nuk respektojnë asnjë rregull të kodit gazetaresk. I tillë ishte edhe dezinformata e plasuar fillimisht ne portalet në gjuhën maqedonase LIDER dhe KURIR e pastaj edhe disa portaleve të tjera edhe në gjuhën shqipe të cilat pa konfirmim dhe pa marrë prononcimin e drejtorit të Spitalit të Dibrës, Baki Alili plasuan informacionin e pakonfirmuar për kinse keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Marketing

I pari ishte KURIR i cili tërhoqi lajmin pas rezultoi lajm i rrejshëm dhe pastaj edhe LIDER si protagonist i informacionit publikoi demantin nga ana e drejtorit.

Se cila është e vërteta, Agjencia e Lajmeve FLAKA kontaktoi drejtorin Baki Alili. Ky i fundit pohon që nuk është e vërtetë që persona të caktuar kanë marrë shpërblime në para në listën e personelit mjekësor të angazhuar në betejën me CoVid-19.

Për më tepër, Alili thotë që në krijimin e listës së personelit që fituan nga shpërblimi i Ministrisë së Shëndetësisë vendos Komisioni brenda Spitalit të Përgjithshëm Dibër, i cili përfshin shefin e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, kryeinfermierin, juristin e Spitalit dhe ai si drejtor.

“Vendimi për shpërblim nuk jepet aq thjeshtë. Janë të përfshirë të gjithë pa përjashtime. Gruaja ime punon në Spitalin e Dibrës, pra në Laborator. Përveç kësaj, ajo është edhe juristja jonë e cila koordinon të gjitha çështjet jurudike brenda spitalin. Ekziston një listë për çmimin Covid-19, të cilën unë nuk e përpiloj, por ekziston një Komision që vendos. Me shumë përgjegjësi pohoj se të gjithë ata që u përfshinë në këtë krizë 10-mujore morën një shpërblim, pra ndihmë financiare. Nëse ata nuk do të ishin në listë në grupin e parë, ata tani janë në listë në grupin e dytë. Për shembull, në grupin e parë, gruaja ime nuk mori një shpërblim, kështu që tani është në listë dhe mori shpërblim 14,000 denarë”, shprehet për Agjencinë e Lajmeve FLAKA, drejtori Baki Alili.

Për më tepër, Alili thotë që edhe ai si drejtor nuk isha në grupin e parë të kuadrit të shpërblyer, edhe pse ndodhet prezent 24 orë në ditë brenda Spitalit.

“Ata punonjës që janë të përfshirë drejtpërdrejt në Qendrën Covid, tani ata kanë marrë një shpërblim të njëhershëm për herë të dytë. Stafi teknik, për shembull në laborator, ku është gruaja ime, mori 14,000 denarë, dhe ata në Qendrën Covid morën 30,000 denarë. Edhe ata punonjës, emrat e të cilëve ishin shkruar se nuk fituan nga shpërblimi në para nga MSH, dje reaguan dhe kërkuan sqarim. U sqaruam që janë përfshirë në dy grupe i gjithë stafi i angazhuar me rastin e pandemisë, në mënyrë që të gjithë të shpërblehen”, sqaron drejtori Alili.

Ndryshe, Baki Alili prej vitesh drejton Spitalin e Dibrës dhe njihet si mjek që u del në ndihmë në çdo kohë banorëve dibran.