Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot në kabinetin e tij
zhvilloi një takim pune me ministren e Arsimit dhe Shkencës, znj. Milla
Carovska dhe ish ministrin dhe deputetin Arbër Ademi.
Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit diskutuan për koncepcionin e
reformave në arsim dhe për Ligjin për librat shkollorë për arsim fillor
dhe të mesëm.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi, ministrja e arsimit Carovska dhe
deputeti Ademi u dakorduan që në përputhje me Ligjin për librat shkollor
për arsim fillor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha
parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur
menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme.
Tre bashkëbiseduesit gjithashtu u dakorduan se në rastin konkret, me
librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me
librat tjerë, do të aplikohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat
shkollor. Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteve
shkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila
ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë
qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi dhe ministrja e Arsimit
dhe Shkencës, znj. Milla Carovska gjithashtu u pajtuan se në kuadër të
këtij vendimi gjatë periudhës në vijim do të shqyrtohen të gjitha
tekstet e tjera shkollore me qëllim që njëherë e mirë tu jepet fund
këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto tekste
shkollore.
Në fund të këtij takimi, Grubi, Carovska dhe Ademi u dakorduan që bashkë
të përkrahin reformat në arsim duke i cilësuar ato si një nga reformat
më se të nevojshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Me respekt,
Sektori për marrëdhënie me opinionin
Kabineti i zëvendës kryeministrit të parë dhe ministrit për sistem
politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive