Nëna muslimane kanadeze e bën më të thjeshtë fenë për fëmijët

Jenny Molendyk Divleli, një mësuese kanadeze e gjuhës së shenjave e gjuhës angleze, e cila u konvertua në Islam në vitin 2006, kontribuon në thjeshtëzimin e fesë për fëmijët duke bërë postime në rrjetet sociale që ajo përgatit me pesë fëmijët e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Me banim në Stamboll për nëntë vitet e fundit, ku vazhdon të mësojë gjuhën angleze, ajo është e angazhuar në përgatitjen e materialit edukativ dhe informues për fëmijët, duke prekur çështjet e përgjithshme, si prezantimin e Islamit dhe jetës së Profetit Muhamed në gjuhën turke dhe angleze, të cilat i poston në mediat sociale.

Duke folur për AA, Molendyk tha se ajo ishte rritur në një familje të krishtere konservatore si fëmija i dytë i një oficeri policie dhe një infermiere. Gjatë diplomimit të saj në Gjuhësi dhe Interpretimin e Gjuhës Amerikane të Shenjave, ndërsa kërkonte përgjigje për aspekte të ndryshme të jetës, ajo filloi të debatojë me muslimanët.

“Pas një kërkimi të gjatë, gjeta përgjigje dhe më 14 maj të vitit 2006, u konvertova në Islam. Ky ishte vendimi më i madh i jetës sime”, tha ajo.

Megjithëse në fillim instruktorët dhe babai i saj kundërshtuan dhe u përpoqën ta bindnin atë që të rishikojë vendimin e saj, ajo, megjithatë, mbeti e palëkundur. Gjatë kësaj periudhe, ajo u takua me Sami Divlelin dhe vendosi të martohej me të dhe më pas të transferohej në Stamboll në vitin 2012.

“Nuk e dija se kush ishin muslimanët, ose në çka besonin. Nuk e dija se ne gjithashtu besonim në profetët e njëjtët. Ndërsa isha duke studiuar interpretimin e gjuhës së shenjave, fillova të hulumtoj më shumë rreth Islamit duke menduar se mund të më duhet të përkthej në një xhami një ditë”, tha ajo.

Molendyk tha se një derë e re e besimit po i hapej dhe se ajo filloi të ecë për t’u bërë një person më i mirë.

“Kam zbuluar se Islami ishte mënyra e duhur”, tha ajo.

Ajo shtoi se ndërsa hulumtonte Islamin, e kuptoi që stili i saj i jetës do të ndryshonte krejtësisht, gjë që shkaktoi shqetësim dhe frikë tek ajo. Por frika e saj dhe shumë pyetje të tjera u adresuan nga një ligjërues musliman në një seminar. Vetëm një ditë më parë, këto pyetje ishin lënë pa përgjigje nga priftërinjtë.

“I shkrova letër burrit tim, të cilin atëherë e kishta vetëm mik, duke i thënë se po konvertohem në Islam. Allahu e bekoftë, ai erdhi të më vizitojë në qytetin tim. Atë ditë u bëra muslimane dhe vura shami”, tha ajo, duke shtuar se së pari kishte vendosur të mos mbante shami pas konvertimit për të ruajtur kulturën me të cilën kishte jetuar.

Periudhë e vështirë

Duke kujtuar periudhën e vështirë të jetës së saj me lotë që pikonin në faqet e saj, Molendyk tha se vëllai i saj i madh pranoi vendimin e saj dhe e mbështeste edhe kur prindërit e saj vazhduan me kundërshtimin e vendimit të saj.

“Babai im kopjonte dhe më dërgonte gjërat që gjente në lidhje me Islamin në faqet e internetit. Ai donte të më thoshte se kjo është ajo që ti ke zgjedhur. Ai ishte mërzitur. Unë e kuptoja atë. Por ai nuk e dinte se çfarë është Islami. Ai dinte vetëm atë që shihte në televizion. Nëna ime ishte më e frikësuar. Ajo kishte frikë se unë do të martohesha dhe kurrë nuk do të shihja fëmijët e mi, do të jetoja në bodrum, e mbyllur dhe në errësirë”, tha ajo.

Molendyk gjithashtu hasi në reagime të ashpra nga njerëzit në shkollën e saj.

“Të gjithë ishin të tronditur. Instruktorët e mi në universitet më thirrën në një dhomë private dhe pyetën se çfarë më ka ndodhur”, tha ajo.

Ajo shtoi se kur shefi i saj i bëri pyetjet e ngjashme, ajo e la punën.

Kur u martua me Sami Divieli, i cili kishte qenë në Kanada për arsim dhe punë, vetëm vëllai i saj mori pjesë. Por pas gjashtë muajsh, kur ata organizuan një ceremoni në Stamboll, mori pjesë edhe nëna e saj.

“Fëmija ynë i parë lindi në Kanada në vitin 2008. Ne donim që fëmijët tanë të rriteshin në një vend musliman, të flisnin dy gjuhë dhe të dëgjonin ezanin”, tha ajo.

Jeta në Turqi

Për familjen e burrit të saj, ajo tha se ata e mirëpritën dhe e trajtuan si vajzën e tyre. Por kishte pengesa gjuhësore, sepse ata nuk e dinin anglishten dhe ajo nuk e dinte turqishten.

Megjithatë, ajo tha se jeta në Turqi ishte krejtësisht e ndryshme pasi në Kanada të gjithë e shikonin ndërsa dilte e veshur me shami.

“Erdha në Turqi, duke menduar se nuk do të tërheq asnjë vëmendje. Por nuk ishte ashtu”, shprehet Molendyk.

“Të gjithë e kuptuan se unë jam e huaj. Ata ndihen kureshtarë dhe më bëjnë pyetje. Unë me të vërtetë e dua Stambollin dhe Turqinë. Ne duam të rrisim fëmijë që janë të kënaqur me Islamin, e duan Islamin dhe Profetin tonë e marrin si model”, tha ajo.