Në ambientet e Fabrikës “OHIS” në Shkup, dje është kryer ngarkimi i 4.6 ton të mbetjeve kimike me përbërje të njohur dhe 5.2 ton me përbërje të panjohur.
Largimi është bërë me kamionë që përmbushin kushtet e transportimit të mbeturinave të rrezikshme, me çka ka vazhduar pastrimi i njërës prej pikave më të nxehta ekologjike në vend.
Sic ka njoftuar Inspektorati Shtetëror për Ambient Jetësor, lidhur me këtë aktivitet janë njoftuar të gjitha kompanitë që kryejnë veprimtari, kështu që, gjatë ngarkimit ishte vendosur një regjim i veçantë i ndalesës së lëvizjeve të personave dhe automjeteve në ambientet e OHIS-it.
Pas ngarkimit është bërë procedura doganore dhe mbetjet e rrezikshme janë drejtuar në fabrikën e shkatërrimit në Francë. Në fillim të vitit të kaluar, Ministria e Ambientit Jetësor njoftoi se 88 fuçi me mbeturina të rrezikshme nga ish-gjiganti kimik “OHIS”, me dy dërgesa ishin transportuar në Bazel të Zvicrës.
Disa më muaj më vonë, në rrjetet sociale ishin paraqitur paralajmërime lidhur me rrezikun nga një cisternë ku ishin deponuar mbetje kimike në OHIS, por nga Ministria siguruan se kimikatet e deponuar ruhen me shkallë të lartë të sigurisë.
Në shtator të vitit të kaluar, kimikatet toksike, nga kompania franceze “Kurium” ishin transferuar nga cisterna e vjetër në një të re dhe ishin dërguar në Gjermani.