MASH hap konkurs për bursa studimi jashtë vendit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka hapur konkurs për bursa të cilat mundësojnë që të rinjtë të ndjekin studimet e të gjithë cikleve të studimit jashtë vendit për vitin akademik 2021/2022.

Marketing

Sipas njoftimeve nga MASH, bursa vjetore për një student për ciklin e parë të studimeve është deri më 40 mijë dollarë, këtu përfshihet bileta kthyese dhe bursa mujore, që lëviz nga 37 mijë deri 52 mijë denarë, shkruan gazeta KOHA.

Ndërsa sa i përket studentëve që dëshirojnë të aplikojnë për ciklin e dytë të studimeve duhet të kenë mesataren e suksesit të ciklit të parë më të lartë se 8.5, e njëjta vlen edhe për ata që duan të regjistrohen në ciklin e tretë të studimeve si dhe të kenë të publikuar tre punime shkencore në tre vitet e fundit.

Ndryshe, nxënësit dhe studentët të cilët dëshirojnë të aplikojnë për studime jashtë vendit kanë afat deri më 15 shtator të dërgojnë deri te MASH dokumentet e nevojshme për aplikim që duhet për ta shfrytëzuar këtë mundësi.