Sot mbahet seanca konstituive e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur më 14 shkurt, ndërsa certifikimi i tyre u bë më 13 mars. Në njoftimin dërguar mediave nga Kuvendi i Kosovës është bërë i qartë edhe rendi i ditës.
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Dhënia e betimit të deputetëve, Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Kandidati i LVV-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Glauk Konjufca.
Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kryeziu ka paralajmëruar votimin e Qeverise Kurti II brenda diëes së sotme.
“Sot do të votohet qeveria që e deshti dhe e votoi masivisht populli. Kryeministrit Kurti duhet t’i urojmë suksese në punën e vështirë që e pret dhe t’i japim përkrahjen maksimale dhe sugjerime konstruktive aty ku duhet. Unë besoj në integritetin dhe përkushtimin e tij për të ndryshuar jo vetëm qeverisjen por edhe vendin. Përuljen më të thellë për zgjedhësit që i bënë privilegjin e jashtëzakonshëm Albinit duke e ngjitur në karrigen e Kryeministrit me kaq shumë mbështetje por edhe me po aq shumë pritje karshi tij. Duhet nënvizuar fort se ndryshimi nuk do të vijë as brenda një nate, as brenda një viti, por puna e qeverisë e projektuar në programin tonë që kemi punuar me aq shumë pasion, do të kërkojë qe edhe ekipi qeveritar të jenë të përafërt në atë që përfaqëson Kurti.”
Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.