Takim Idrizi- Grubi, në fokus regjistrimi

Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u prit sot në një takim nga kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Në fokus të takimit ishte regjistrimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në portalin qeveritar në kuadër të Censusit 2021, çështje me karakter kombëtar, veçanërisht çështja Çame si dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Marketing

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi duke vlerësuar miqësinë me z.Grubi, tha se z/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ka qenë ndër të parët që ka mbështetur kauzën e çështjes Çame. Idrizi tha se Grubi është profili i politikanit shqiptar patriotik dhe kombëtarist.

“Personalisht kam një kënaqësi të veçantë për ju z.Grubi, bashkë jemi takuar si aktivistë të çështjes kombëtare shumë vite më parë. Ju keni qenë nga të parët mbështetës tonët dhe sot jeni në këtë post të rëndësishëm dhe të nderuar. Unë jam i bindur që ju do të jepni kontributin tuaj sepse ndoshta mund ta njoh më mirë se sa të tjerët vokacionin tuaj patriotik dhe kombëtarist”, u shpreh Idrizi.

Vetë Grubi u shpreh i emocionuar teksa në sallën e konferencave të PDIU, pa fotografinë e marshimit të çamëve në Konispol, ku ai tha se ka qenë pjesë e tubimit dhe bashkë me vajzën e tij ka mbajtur në dorë flamurin kombëtar. “Më emocion kjo fotografi kur e shoh. Kam qenë bashkë me vajzën time duke mbajtur në dorë flamurin kur kemi qenë në Konispol”, u shpreh Grubi.

Kryetari i PDIU iu bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut brenda apo jashtë vendit, të regjistrohen në kuadër të Censusit, pasi kështu numri i tyre do të jetë më i madh dhe më përcaktues si faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut.

“Besoj shumë që procesi i regjistrimi të popullsisë atje është shumë i rëndësishëm, pas Censusit të vitit 2002. Është një rast i mirë dhe ne e mirëpresim të gjithë sensibilitetin, është një rast i mirë që ajo që në vitin 2002 krijoi probleme artificiale me numrin e shqiptarëve, sot ta përkthejmë në një angazhim të përbashkët që shqiptarët të kenë atë numër të saktë dhe ato të drejta që i takojnë si popullsi gjithmonë konstruktive në shtetin e Maqedonisë së Veriut. Sigurisht që ndaj konsidetarën që ju keni bërë shumë edhe për atë diskriminim që i ka shoqëruar shqiptarët ndër vite. Edhe kjo shpjegohet që edhe në Shqipëri, për arsye të tjera, ne kemi një emigracion shumë të madh, ajo që ka qenë diaspora e vjetër, por tani është shtuar edhe diaspora e re dhe besoj që është rasti që ta shohim bashkërisht për të krijuar sensibilitetet e nevojshme për t’i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të marrin pjesë në këtë proces, pasi nuk është thjesht e vetëm në të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por është në interes të të gjithë shqiptarëve kudo që ato jetojnë”, theksoi kreu i PDIU.

Idrizi tha se PDIU në mesazhet e saj politike, do të përsërisë thirrjen drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Me rëndësi, Idrizi theksoi edhe heqjen e barrierave ekonomike mes shqiptarëve, pikë kjo edhe e programit qeverisës të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

“Regjistrimi i popullsisë është shumë i rëndësishëm për t’i dhënë një përfaqësim të zëshëm të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe për këtë ju përgëzoj. Ne do të bëjmë thirrje sa të mundemi që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në diasporë ta kuptojnë shumë mirë që është një proces mjaft i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, që të regjistohen, ta ushtrojnë këtë të drejtë, sepse do të ndihmojnë të drejtat e tyre. Ne jemi në ballkan, jemi popuj të vegjël dhe heqja e të gjitha barrierave ekonomike me Shqipërinë, me Kosovën, me Maqedoninë e Veriut, janë në drejtimin e duhur që jo vetëm çështja shqiptare të avancojë por të avancojë edhe mirëqenia e qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, theksoi më ndër të tjera Idrizi.

Nga ana e tij, zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi u shpreh se censusi i këtij viti në Maqedoninë e Veriut bëhet pas 20 vitesh dhe si i tillë është mjaft i rëndësishëm sa i takon numrit të vërtetë të shqiptarëve për ruajtjen e pozitave të përfaqësimit institucional si dhe garanton të drejtën e përfaqësimit të gjuhës shqipe dhe përdorimit të flamurit shqiptar.

“Kam ardhur për një çështje maft të rëndësishme. Marrëveshja e Ohrit nuk definon të drejta të shqiptarëve dhe komuniteve të tjera, por në bazë të përqindjes. Përfaqësimi në institucione varet në bazë të përqindjes së popullsisë, kush është mbi 20%, ka të drejtë përdorimin e gjuhës, mbi 50% ka të drejtën e përdorimit të flamurit. Regjistrimi i fundit është kryer para 20 viteve, ai i vitit 2011 dështoi, për shkak të mosgatishmërisë së partnerëve të koalicionit maqedonas, për të mosregjistuar shqiptarët qe jetojnë jashtë. Dhe numri i tyre nuk do të dilte i saktë. Tani kemi dy regjistra civilë, një për brenda vendit dhe një për ata që jetojnë jashtë. Është jetike që diaspora të regjistrohet masivisht, çdo e drejtë e jona varet nga ky censusi i këtij viti. Ju po nisni fushatën zgjedhore dhe do të doja të ndani kohë edhe për këtë çështje, sepse ne nuk po regjistrojmë anëtarë partie, as anëtarë të Shoqërisë Civile, por po regjistrojmë popullsinë. Kemi gjuhë zyrtare, kemi flamur shqiptar, kemi 25 mijë shqiptar në administratë, kemi tre universitete shqiptare. Jemi 34 deputetë shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, si anjëherë më parë në histori, kemi qenë 29”, theksoi Grubi.

Në takimin me z.Grubi, kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi shoqërohej nga Sekretarja e Përgjithshme e PDIU, Mesila Doda si dhe kryetari i Shoqatës Çamëria, Hektor Sejko. Ndërsa zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi shoqërohej në takim nga shefja e kabinetit, Havushe Leskovica Ismaili.