“Rrezik për shtetin” është fjalia që për mijëra qytetarë krijon një makth të vërtetë, pasi në bazë të saj u është refuzuar e drejta për të marrë shtetësi të Maqedonisë së Veriut. Aktivistja Mersiha Smailoviç, tha se ASK-ja duhet ta argumentojë me fakte këtë vlerësim dhe jo thjesht ta përdorë për privim të qytetarëve nga kjo e drejtë elementare.
E vetmja gjë që qëndron është se përbëjnë rrezik për shtetin e Maqedonisë së Veriut. Pikë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ju për një vendim të tillë nuk mund të ankoheni. Kjo do të thotë se ju nuk keni prova për të dëshmuar se nuk përbëni rrezik. Si e definon MPB-ja rrezikshmërinë?!”, tha Mersiha Smailoviç, aktiviste.
Ish- deputeti Rubin Zemon thotë se nëse shteti ynë konsiderohet si humanist, atëherë duhet edhe qasjen ta ketë të tillë.
Njeriu ka të drejtë edhe të mos ketë shtetësi, por ama nëse ai vetë vendos për diçka të tillë. Por secili shtet duhet t’u mundësojë status të apatridit. Dallimi i vetëm do të ishte se apatridi nuk ka të drejtë të votojë, por gëzon të drejtat tjera”, pohoi Rubin Zemon, ish deputet.
Gazetari Lirim Dullovi tha se kjo është qasje diskriminuese e shtetit.
Çfarë po bëjmë ne me 2000 njerëz? A janë pak? Sepse dje i dëgjova disa deputetë të cilët thanë se varësisht prej numrit të njerëzve pa shtetësisë, edhe vëmendja jonë duhet të jetë e të njëjtës masë. Këtu s’duhet të jesh gjeni se kjo është keqpërdorim për qëllime shoviniste dhe raciste”, theksoi Lirim Dullovi, gazetar.
Bashkim Bakiu nga Instituti” Arbën Xhaferi”, organizues i debatiti rreth kësaj teme, thekson se shteti duhet të angazhohet më shumë për zgjidhje.
Maqedonia ka aderuar në fushatën e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1961 për eliminimin e pashtetësisë, fushatë e cila është në plan në kuadër në UNHCR, me qëllim të eliminimit të pashtetësisë deri në vitin 2024”, Bashkim Bakiu, Instituti “ Arbën Xhaferi”
Një ndër mijëra personat pa shtetësisë ishte edhe kampioni i shumëfishtë Enver Idrizi, emrin e të cilit e mbajnë salla sportive dhe së shpejti dhe rrugë, por të cilit asnjëherë nuk iu dha e drejta për shtetësi të Maqedonisë së Veriut. (Alsat tv)