Situata e rënduar me pandeminë në Kosovë ditët e fundit ka prekur edhe Kuvendin e Kosovës, më saktë deputetët e saj.
Nga burimet e lajmi.net në IKSHP, është mësuar se deputetja e VV-së, Adriana Matoshi është infektuar me COVID-19, por megjithatë ajo është parë në seancën e të shtunës në mbrëmje në Kuvendin e Kosovës.
Edhe zyrtarë të Kuvendit, në kushte anonimiteti kanë thënë se “deputetja Matoshi vazhdimisht ka dal nga seanca dhe gjendja e saj shëndetësore dje nuk ka qenë më e mira”. E këtë gjendje nuk e ka mohuar as Matoshi për lajmi.net.
Me gjithë situatën e rënduar shëndetësore, ajo është detyruar të dal në Kuvend për shkak të votave për Vjosa Osmanin.
Po ashtu, në hyrje të Kuvendit, para fillimit të seancës, kanë dështuar edhe masat e kontrollit nga IKSHP për të matur temperaturën dhe siguruar kushtet e nevojshme pandemike për shkak të numrit të madh të deputetëve dhe hapësirës jo të mjaftueshme të Kuvendit.
Lajmi.net ka kontaktuar me Matoshin, e cila e ka mohuar kategorikisht se është infektuar me virus.
“Jo nuk është e vërtet, e kam bo testin, dy here, kom dal negativ. Vetëm jam e ftohur. Më 27 kam filluar një film dhe e kam bërë testin para se me ja nis sepse e kemi obligim, kam dalur negativ. Mirëpo gjatë xhirimeve jam ftohë e kom një koll. Më datë 2 mars e kam bërë testin prapë edhe kam dal negativ prapë. Dhe ditën e parë të seancës kam marrë infuzion edhe tashmë jam më mirë, më është larguar pak kolli. Ndoshta më kanë dëgjuar duke u kollitur. Por nuk është e vërtetë s’jam me COVID”, tha Matoshi.