Shtylla kryesore e ekonomisë së qytetit të Ulqinit dhe Malit të Zi si shtet është turizmi, ndërsa për qytetarët e Shkupit dhe Maqedonisë së Veriut bregdeti i Ulqinit është një destinacion i preferuar prej vitesh. Kështu deklaroi drejtori për zhvillimin e turizmit në komunën e Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, pas takimit me kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu. Hajdinaga njëherit theksoi se janë marrë të gjitha masat ndaj pandemisë, që ky sezon turistik të jetë i sigurt për ata që këtë verë do të pushojnë në bregdetin e qytetit të lashtë të Ulqinit.
“Ulqini me gjeografinë e vet me plazhet e veta shumë kilometrash, edhe për këtë ambient dhe mentalitet të qytetarëve që jetojnë në këtë zone, në këtë qytet, është i veçantë nga të tjerët, qoftë nga kuzhina, gastronomia, qoftë të rritet qofshin ato edhe fetare dhe të tjera pse jo, por mbi të gjitha është një traditë që Ulqini për turizmin e ka të mbjellë në traditën e vet të qytetarëve mikpritjen dhe çmimet konkurruese.”,- tha drejtori për zhvillimin e turizmit në Ulqin, Gëzim Hajdinaga.
Komuna e Ulqinit është një komunë shqiptare dhe së bashku me bregdetin shqiptar është një nga destinacionet më të preferuara të qytetarëve të vendit.
“Numri i turistëve që shkojnë nga shteti ynë është i madh, por çdoherë tendenca jonë është që këtë numër ta rrisim. Duke pasur parasysh edhe situatën me Kovid, unë jam i bindur që çdoherë do të intervenojmë dhe do të veprojmë konform atyre protokolleve që për momentin do të ndodhin.”,- u shpreh kryetari i Çairit, Visar Ganiu.
Në takimin Ganiu-Hajdinaga u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit me dy komunave. Ndërsa marrë parasysh gjendjen me pandeminë dhe kufizimit që kanë vendosur disa shtete, Hajdinaga bëri të ditur se për turistët nga Maqedonia e Veriut nuk do të ketë pengesa për të hyrë në Mal të Zi. Ofertën turistike të Ulqinit Hajdinaga do ta prezantojë edhe në qytete tjera të vendit.