Të gjithë ata që prej sot, kanë ndaluar aktivitetin e tyre ekonomik, do të ndihmohen nga shteti.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se po shqyrtohen modelet se si do të realizohet në praktikë kjo.
“Ata operatorë ekonomikë që do të mbyllen këto dy javë do të përfshihen me masa të reja. Momentalisht jemi duke shqyrtuar disa modele që do të bazohen në mbulimin e një pjese të të ardhurave të realizuara gjatë muajve të fundit. Gjithsesi, për krahasim duhet të marrim muaj me të cilët mund të simulojmë se sa të ardhura do të bënin po qe se kjo mbyllje nuk do të ndodhë. Për momentin, prioritet është shëndeti dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, për të gjitha dëmet në ekonomi, sikurse deri tani, shteti do t’u dalë ballë”, shkroi Bytyqi në “Facebook”, transmeton TV21.
Ndërkaq ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në Televizionin “Sitel” ka deklaruar, se modeli tashmë dihet. Ndihma do të shkojë në formë të grantit direkt.
“Tashmë është bërë modeli se si do të mbështeten hotelierët, do të merren parasysh të hyrat e realizuara gjatë tre muajve të parë të vitit, dhe në përputhje me të hyrat që janë realizuar, një pjesë e tyre do t’i mbulojë shteti në formë të grantit direkt për çdo objekt hotelerik i cili është mbyllur. Në fillim të javës së ardhshme do të publikohen masat, sipas analizave dhe mundësive buxhetore do t’i ftojmë të gjitha shoqatat hotelerike dhe odat që të vërtetojmë përqindjen e caktuar të përkrahjes financiare”, deklaroi Bekteshi.
Përndryshe, prej sot do të jenë të mbyllura të gjitha objektet gastronomike dhe kafenetë. Ata do të mund të kryejnë vetë shërbime me dërgesë.
Mbyllja sipas vendimit aktual të Qeverisë, do të zgjasë deri më 20 prill.