Për propozim-Ligjin për shtetësi, sot pritet të takohen kryeministri Zoran Zaev dhe liderët opozitarë shqiptarë, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe Afrim Gashi nga Alternativa.
Takimi që pritet të zhvillohet në ora 11:00, sipas paralajmërimeve duket se do të gjejë zgjidhjen e përbashkët mes pushtetit dhe opozitës për çështjen e shtetësisë.
Sipas paralajmërimeve të Zaevit dhe Selës, shtetësia nëse nuk do të mund të fitohet me “tre dëshmitarë”, është e pranueshme të fitohet me dorëzimin e çfarëdo dokumenti i cili do të jetë dëshmi e mjaftueshme se personi që aplikon për shtetësi, ka jetuar për një periudhë të caktuar në Maqedoninë e Veriut.
Sela ka bërë të ditur, se është i gatshëm të pranojë që si dëshmi të jepen dëftesat shkollore të fëmijëve të personave që aplikojnë për të marrë shtetësi.
Në rregull, nuk ka nevojë të jenë dëshmitarë, ja do të jetë dëftesa, tha Sela për shtetësinë
Dhënia e dëftesave si dëshmi ishte propozim i Zaevit.
Varianti i parë i Ligjit për shtetësi, i cili u propozua në Kuvend nga opozita ASH-AAA, u bllokua me amendamente nga opozita maqedonase, ndërkaq LSDM-ja që prej fillimit e ka kundërshtuar idenë që shtetësia të fitohet me “3 dëshmitarë”. Meqë Ligji u bllokua, ASH-AAA penguan miratimin e një sërë ligjesh të tjera duke dorëzuar amendamente.