Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 710, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), 4 viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit.
Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 710, ndërsa i të arrestuarve në 3.080.
Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 697 persona të tjerë.
Siç raportohet, 50 nga të vdekurit deri më tani janë fëmijë.
Rreth 100 mijë civilë u larguan nga shtëpitë e tyre në Bago
Nga ana tjetër, një numër i madh civilësh kanë lënë shtëpitë e tyre në Bago, ku ushtria e Mianmarit javën e kaluar vrau të paktën 82 persona me ndërhyrje të armatosur kundër protestuesve.
Duke folur për shtypin e Mianmarit, aktivistët thanë se pas masakrës së civilëve nga ushtria e Mianmarit më 10 prill, afërsisht 100 mijë njerëz lanë shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fshatrat afër qytetit.
Ndryshe, në lagjen Ma Ga Dit në Bago, më 10 prill, ushtarët hapën zjarr ndaj demonstruesve të cilët vazhduan protestat pavarësisht paralajmërimeve.
Të paktën 82 njerëz u vranë si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë, kurse ushtarët morën disa kufoma peng dhe vendosën kusht që t’ua dorëzonin familjeve të tyre për para.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.