Ekonomia amerikane fiton ritëm; rritet besimi i konsumatorëve

Ekonomia amerikane fitoi ritëm me hyrjen e pranverës, duke përfituar nga rritja e besimit të konsumatorëve, tha Rezerva Federale të mërkurën, dhe kryetari i saj Jerome Powell tha se gjendet në rrugën e duhur për një rritje më të fortë dhe punësim në muajt e ardhshëm.

Aktiviteti ekonomik mes fundit të shkurtit dhe fillimit të prillit u rrit nga vaksinimi i shtuar ndaj COVID-19 dhe mbështetja e fortë fiskale. Tregu i punës gjithashtu u përmirësua ndërsa më shumë njerëz u kthyen në punë, thuhet nga banka qendrore amerikane në botimin e saj më të fundit “Beige Book” (Libri Bezhë), një koleksion me të dhëna për ekonominë nga 12 distriktet e saj rajonale.

Marketing

Ritmi i punësimit u rrit më së shumti në sektorët e prodhimit, ndërtimit, argëtimit dhe hotelerisë.

“Të dhënat mbi turizmin ishin më optimiste, të mbështetura nga një kërkesë në rritje për aktivitete të kohës së lirë dhe udhëtime, të cilat i atribuoheshin pushimit të pranverës, një lehtësimi të kufizimeve të lidhura me pandeminë, vaksinimet e shtuara dhe pagesat e fundit stimuluese, ndër faktorët e tjerë”, thuhet në raport.

Në përgjithësi, parashikimet ishin më optimiste që nga raporti i fundit në mars, njoftoi Rezerva Federale.

Zyrtarë të sektorit të hotelerisë i thanë Rezervës Federale në Atlanta se kishin “prenotime solide për pjesën e mbetur të pranverës dhe gjatë muajve të verës e më tej”, thuhet në raport.

Ndër fushat më të dukshme të përmirësimit ishte turizmi, me një numër distriktesh që sinjalizojnë se sektori që u godit më rëndë nga fillimi i pandemisë së koronavirusit vitin e kaluar po rimëkëmbet.

Ndoshta për asnjë distrikt tjetër, toni i komenteve rreth turizmit nuk ishte aq i përmirësuar sa ç’ishte për Nju Jorkun.

Tre muaj më parë, zyrtarët e Rezervës Federale të Nju Jorkut përdorën Librin Bezhë për të përshkruar turizmin në qytetin e Nju Jorkut si “jashtëzakonisht të dobët”. Raporti i së mërkurës tha se “turizmi ka vazhduar të rritet”, me udhëtimet ajrore që po rriten me shpejtësi dhe nivelet e rezervimit të hoteleve po arrijnë më në fund mbi 50%.

Ky përmirësim duket se përforcon kushtet për rajonin më të gjerë. Ndërsa shumica e distrikteve thanë se ritmi i rritjes në ekonomitë e tyre rajonale ishte i moderuar, Rezerva Federale e Nju Jorkut tha se ekonomia e saj “u rrit me një ritëm të fortë për herë të parë gjatë pandemisë, me rritje të gjerë në mbarë sektorët”.

Kjo ndodhi pavarësisht nga një rritje e rasteve me COVID-19 në rajon, tha Rezerva Federale e Nju Jorkut. “Për më tepër, bizneset janë gjithnjë e më optimiste për perspektivën afatshkurtër”, thuhet në raport./VOA