Aeroporti ndërkombëtar i San Franciskos dhe kompania e fluturimeve United Airlines janë të parët në Shtetet e Bashkuara që provojnë teknologjinë biometrike e cila pakëson kontaktin fizik nga pika e kontrollit e deri në futjen e udhëtarëve në aeroplan.
Ata që krijuan teknologjinë thonë se kjo mënyrë udhëtimi ofron më shumë siguri gjatë pandemisë, pasi punonjësit e aeroportit dhe udhëtarët duhet të shkëmbejnë sa më pak dokumente.
Udhëtarët që marrin pjesë në provë duhet të lidhin dokumentin identifikues me skanimin e fytyrës gjatë kontrollit në hyrje të aeroportit.
Ata mund të lëvizin nga momenti kur arrijnë në aeroport, tek faza e dorëzimit të bagazhit, kontrolli i sigurisë dhe futja në aeroplan vetëm permes skanimit të fytyrës në çdo pikë, duke shmangur nevojën e dhënies së dokumentit identifikues ose biletës së udhëtimit.
“Ajo çfarë kemi bërë është proces normal i fluturimit, me dy hapa të thjeshtë. Skanojmë dokumentin tuaj identifikues, ju bëjmë një foto dhe vazhdoni. Pastaj në çdo pikë tjetër, ju bëjmë një foto të shpejtë. Verifikohet identiteti juaj dhe vërtetohet që keni biletë udhëtimi”, tha Sherry Stein, drejtuese strategjike e teknologjisë në kompaninë “SITA Americas”.
Teknologjia e krijuar nga kompania zvicerane SITA, ekziston tek disa aeroporte për fluturime ndërkombëtare duke përfshirë Athinën, Pekinin dhe Dohan.
Por kjo është hera e parë që ajo përdoret për fluturimet e brendshme të ShBA-së, që sipas kompanisë SITA përbën shumicën e tregut të linjave ajrore amerikane.
“Kemi mundësi të shohim si t’ua sjellim këtë teknologji udhëtarëve vendas, të cilët përfaqësojnë 80 për qind të tregut në Shtetet e Bashkuara”, thotë zonja Stein.
SITA thotë se teknologjia përveç që rrit sigurinë duke zvogëluar kontaktin fizik dhe ndërveprimin mes pasgjerëve dhe punonjësve të aeroportit, gjithashtu zvogëlon kohëzgjatjen e procedurave dhe shkurton radhët e gjata të pritjes.
Sa i përket shqetësimeve të privatësisë, kompania thotë se informacionet ruhen vetëm në aeroport dhe fshihen në mënyrë automatike menjëherë pas fluturimeve.
Udhëtari i rregullt Tom Pillsbury mbështet metodën e re të fluturimit.
“Fluturoj shumë për biznes, 150 mijë milje në vit. Këtë e bëj rregullisht. Ata nuk i keqpërdorin të dhënat personale. Mendoj se do të ketë njerëz që ashtu si për vaksinat, do të kenë frikë. Unë nuk jam një prej tyre”, tha ai.
Pasagjerja Minal Desai shpreson se kjo mënyrë do të shkurtojë vështirësitë e fluturimit.
“Më pak vështirësi është mënyrë më e mirë për të jetuar. Nëse bëhet, mendoj se kjo është një procedurë e mrekullueshme që e lehtëson jetën për të gjithë”, tha ajo.
Nëse provat rezultojnë të suksesshme, kompania SITA thotë se mund të zgjerojë shtrirjen e teknologjisë në aeroporte dhe kompani tjera fluturimi në ShBA./VOA