Egjipti dhe Libia nënshkruan memorandume mirëkuptimi në kryeqytetin libian gjatë një vizite zyrtare të kryeministrit egjiptian, Mostafa Madbouli, raporton Anadolu Agency (AA).
Memorandumet përfshijnë rifillimin e fluturimeve civile midis dy vendeve.
“E udhëzova Ministrinë e Aviacionit menjëherë të lejojë pranimin e avionëve nga qytetet libiane në Aeroportin e Kajros”, tha Madbouli në një konferencë shtypi me homologun e tij libian, Abdul Hamid Dbeibeh, në Tripoli.
Madbouli theksoi se vendi i tij dëshiron të forcojë partneritetin me Libinë në të gjitha fushat e interesit midis dy vendeve.
Nga ana e tij, Dbeibeh tha se qeveria e tij kërkon të marrë hapa praktikë me palën egjiptiane duke nënshkruar marrëveshje në fusha të ndryshme, duke përfshirë energjinë elektrike, telekomunikacionin, infrastrukturën, transportin dhe investimet në mënyrë që të jetë “një fillim pozitiv në fillimin e një faze të re të partneritetit midis dy vende”.
Ai shtoi se ambasada dhe konsullata egjiptiane do të rihapen së shpejti.
Në vitin 2014, ambasada egjiptiane në Tripoli u mbyll dhe fluturimet egjiptiane me Tripolin u ndaluan derisa u zhvilluan luftimet midis qeverisë së Libisë të njohur ndërkombëtarisht dhe milicive besnike ndaj komandantit libian Khalifa Haftar, të cilin Egjipti e mbështeste.
Madbouli është zyrtari më i lartë egjiptian që viziton Libinë që nga viti 2010 dhe u shoqërua nga 11 ministra.