Ministria e Jashtme ruse tha të enjten se do të hakmerret ndaj çdo veprimi të Republikës Çeke ndaj personelit të ambasadës së Rusisë në Pragë.
Komentet që u transmetuan nga agjencia ruse e lajmeve RIA, pasuan kërkesën e Republikës Çeke që Moska të lejojë kthimin e 20 pjesëtarëve të personelit të ambasadës çeke të dëbuar nga Moska deri të enjten në mesditë, ose të përballet me dëbime të mëtejshme të diplomatëve të saj nga Praga.
Ministri i jashtëm çek, Jakub Kulhanek, që sapo është emëruar në këtë post, tha se Praga do të barazojë personelin në ambasadat përkatëse të vendeve nëse Rusia nuk lejon kthimin e diplomatëve çekë.
Netěší mě, že česko-ruské vztahy procházejí velmi těžkou zkouškou, ale není to vina ČR. Ruskému velvyslanci jsem dnes oznámil, že:
Dáváme čas Ruské federaci do zítřka do 12:00, že umožní návrat všech našich vyhoštěných diplomatů zpět na velvyslanectví České republiky v Moskvě.— Jakub Kulhanek (@JakubKulhanek) April 21, 2021
Praga dëboi të shtunën më 17 prill 18 punonjës rusë, të cilët i identifikoi si oficerë të zbulimit, pasi tha se dy spiunë rusë të akuzuar për një helmim me agjent nervor në Britani në vitin 2018, ishin përgjegjës për një shpërthim të mëhershëm në një depo municionesh në Çeki që la pas vetes dy të vrarë.
Rusia mohoi akuzat dhe Kremlini i quajti veprimet çeke “provokuese dhe jomiqësore”.
Rusia u hakmor duke urdhëruar dëbimin e 20 punonjësve nga ambasada çeke në Moskë, e cila është më e vogël se ambasada ruse në Pragë.
Ministria e Jashtme Çeke tha se numri i diplomatëve të saj në Moskë ka rënë në 5, plus 19 punonjës të tjerë, pas raundit të parë të dëbimeve. Ambasada e Rusisë në Pragë tani ka 27 diplomatë dhe 67 punonjës të tjerë, tha ajo.
Të dy vendet kanë një numër të vogël të personelit nëpër konsullatat në qytete të tjera.
Jakub Kulhanek u emërua ministër i jashtëm i vendit të mërkurën në një ceremoni me presidentin çek Milosh Zeman, dhe kryeministrin Andrej Babish./VOA