Vizitën zyrtare në Republikën e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani e nisi me takim me homologun e tij, Zëvendës- Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
“Në takimet plenare të të dy delegacioneve, u riafirmuan marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe gatishmëria e të dy anëve për ndërtimin e mëtejmë të miqësisë së afërt dhe të përhershme, në interes të qytetarëve për të dy vendet, por edhe si shembull për rajonin, që ende po ballafaqohet me sfida të numërta”, tha ministri Osmani.
U bisedua për tema konkrete të lidhura me bashkëpunimin bilateral, me fokus mbi ekonominë dhe mundësitë për lidhje infrastrukturore.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shkëmbim tregtar jashtëzakonisht dinamik, por njëkohësisht ekzistojnë edhe potenciale të mëdha për përforcim në pjesën e ekonomikë, për çka kuptohet është e nevojshme edhe mbështetje infrastrukturore”, potencoi Osmani. Bashkëbiseduesit iu referuan edhe bashkëpunimit në resorët e arsimit dhe shkencës, kulturës, shëndetësisë e kështu me radhë.
Në drejtim të ndërtimit të dialogut të hapur me të gjithë vendet e rajonit, Osmani e përcolli mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si shembull më i mirë për tejkalimin e dallimeve dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme mes dy vendeve, në interes të gjithë qytetarëve dhe rajonit në përgjithësi.
“Ambicia jonë e përbashkët, për anëtarësimin e plotë e të gjithë gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor, paraqet alternativën e vetme e cila siguron stabilitet afatgjatë dhe prosperitet”, përfundoi Osmani.
Aktivitetet diplomatike të Osmanit në Prishtinë vazhdojnë me takimet e tij me Kryetaren e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, Kryetarin e Parlamentit Glauk Konjufca dhe Kryeministrin Albin Kurti.